
Historiani i gjuhës Seit Mansaku: Kjo është origjina e shqipes!
Dritare.net
Historiani i gjuhës Seit Mansaku i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv foli mbi origjinën e gjuhës shqipe. Ai tregon kush e përcaktoi dhe cilat ishin karakteristikat e gjuhës shqipe si gjuhë indoevropiane. Profesor Mansaku, me argumente historike dhe gjuhësore tregoi edhe një herë se gjuha shqipe e ka prejardhjen nga ilirishtja.
“Një nga problemet kryesore që u bë nga gjysma e shek të XIX-të ishte ai i origjinës së gjuhës shqipe. Lajbnici shtroi një parim të rëndësishëm atëherë kur tha se për të kuptuar karakterin e shqipes, është apo jo gjuhë indoevropiane, duhet të veçojmë ato elementet që shqipja ka huazuar nga gjuhë të tjera, nga latinishtja dhe nga greqishtja, por edhe nga sllavishtja, t’i ndajmë nga elementet autoktone, të vjetra. Dhe analizës për të përcaktuar tipin e gjuhës shqipe, duhet t’i nënshtrohen këto fjalë të vjetra, fjalët e trashëguara të shqipes. Me ketë lloj metode punuan më të njohurit e gjuhësisë historike krahasuese dhe nga kryesorët ishte studimi i Franz Bopit, studiues gjerman, që u mor drejtpërdrejt me shqipen që në vitin 1854 shkroi një vepër mbi shqipen dhe lidhjet e saj të afërsisë me gjuhë të tjera. Ai e përcaktoi që shqipja është një gjuhë indoevropiane, por që nuk ka lidhje apo prejardhje nga asnjë gjuhë të kësaj familjeje gjuhësore. Kjo vulosi karakterin e gjuhës shqipe.
U zgjidh një problem i rëndësishëm i shqipes. Shqipja filloi të studiohet si gjuhë e veçantë. Pasi u përcaktua karakteri indoevropian i shqipes u shtrua problemi, nga e ka origjinën ky popull dhe vetë gjuha shqipe. Lindën disa teza e teori. Për të përcaktuar origjinën e gjuhës duhej të sqarohej situata etnike e Gadishullit të Ballkanit sidomos në periudhën antike. Në këtë periudhë në Gadishullin e Ballkanit ishin vendosur katër popuj: grekët-greqishtja, trakët-trakishtja, maqedonasit- makedonishtja (maqedonishtja e vjetër) dhe ilirishtja. Shqiptarët dhe shqipja kanë lindur në ato troje ku kanë banuar fiset ilire. Ky është një nga argumentet kryesore historike për të thënë se shqipja e ka origjinën nga ilirishtja. Por kjo nuk mjafton. Duhen edhe disa argumente gjuhësore. Që shqipja e ka prejardhjen nga ilirishtja, përveç gjuhëtarëve të huaj, e vërtetoi më mirë edhe Eqerem Çabeji. Me një frymë objektive dhe kombëtare, u përpoq të argumentojë këtë tezë edhe me mjete gjuhësore jo vetëm në rrafshin historik. Pra me faktin që duke shfrytëzuar emrat e vendeve, të qyteteve, që janë të dokumentuara me shkrim që tregon se sipas ligjeve fonetike të shqipes janë zhvilluar në përputhje me sistemin e gjuhës shqipe. Për shembull Shkodra-Skodra në Antikitet, ky është një zhvillim brenda sistemit të shqipes, pra që Sk- ja bëhet Shk. Ishmi sot, në Antikitet Isamnus. Por vetëm shqipja Ishëm, i përgjigjet trajtës së vjetër me Isamnus. Aulona, Avlona, me një metatezë u bë Valona dhe sot Vlora. Këto janë dëshmitë gjuhësore që tregojnë se shqipja është e lidhur me ilirishten.”, tha gjuhëtari në DritareTv./K.C/dritare.net

















