
Himara dhe Dhërmiu nuk ishin në listën e minoriteteve. Flet Pëllumb Xhufi!
Dritare.net
Historiani Pëllumb Xhufi i ftuar në emisionin Shqip nga Drita Hila, ka komentuar përplasjet Greqi-Shqipëri për çështjen Beleri.
Historiani tregon se minoritetet u krijuan pasi Shqipëria u pranua për të qenë pjesë e lidhjes së Kombeve, ku atëherë me standarde ndërkombëtare ishin dy: greke dhe malazezë. Por profesor Xhufi thotë se në listën e minoriteteve nuk ishte Himara dhe as Dhërmiu.
“Pretendimet greke kanë një historik të gjatë, po bëhen 100 vite, të paktën që nga 1912 që kur u krijua shtetit shqiptar. Pretendime të tilla janë thënë mjaft hapur. Kur diskutohej nëse Shqipëria do të pranohej ose jo në lidhjen e Kombeve, Greqia u hodh në sulm dhe u vendos si kusht pranimi i minoriteteve. Pra minoritetet ia përcaktoi lidhja e Kombeve.
Më vjen në mendje një thënie e një të ngarkuari me punë të SHBA në 1922 në Tiranë, i cili gjatë kohës që diskutohej që të pranohej ose jo në lidhjen e Kombeve, tha se nëse do realizohen të gjitha kërkesat e ekzagjeruar të grekëve, shteti shqiptar do të ‘dezintegrohet’.
Sot kemi rreth 10 minoritete. I kemi bërë minoritetet kombëtare, jo linguistike, kulturore siç i ka bota.
Ndërsa çështja e Himarës nuk është diskutuar kurrë. Shteti Shqiptar u detyrua nga lidhja e Kombeve që të paraqiste listën e fshatrave minoritar dhe u përcaktua se duhet të ishin të grumbulluara dhe kompakte. Në atë listë, nuk figuron as Himara, as Dhërmiu”, tha ai./M.K-dritare.net

















