
Fatos Çoçoli: Pse nuk besohet lajmi i gazetarit amerikan për Sali Berishën!
Dritare.net
Gazetari Mark Caputo në rrjetin social postoi një lajmi i cili sipas tij është njoftim nga Departamenti i Shtetit, ku thuhet se Sali Berisha mund të udhëtonte në SHBA me leje të posaçme.
I ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv, Fatos Çoçoli tha se autori i deklaratës shpreh skepticizëm për lajmin.
Ai thekson se një informacion i tillë duhet të konfirmohet zyrtarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pra nga Sekretari i Shtetit ose një përfaqësues i lartë i tij.
Ndër të tjera Çoçoli tha se edhe pse lajmi ka ardhur nga media të rëndësishme amerikane dhe lobimi ka qenë i fortë kohët e fundit, pa një deklaratë zyrtare nga Departamenti i Shtetit, nuk mund të quhet i besueshëm ose i konfirmuar.
“Së pari, lajmi duhet të ketë, në radhë të parë, konfirmim nga Sekretari i Shtetit Amerikan ose nga vetë Departamenti i Shtetit përmes një deklarate zyrtare. Ndoshta edhe vetë Rubio nuk është në gjendje ta realizojë një gjë të tillë, pasi vetëm konfirmimi nga Departamenti i Shtetit e bën të zyrtarizuar heqjen e statusit të personit të padëshiruar për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, pa e pasur këtë konfirmim, e kam të vështirë ta besoj.
Fakti që lajmi ka ardhur nga një burim mediatik, sado i rëndësishëm dhe serioz nga Shtetet e Bashkuara, ndoshta jep përshtypjen se rasti po merret në shqyrtim. Ne e dimë që kohët e fundit është bërë një lobim i fuqishëm në këtë drejtim, por pa një deklaratë zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit qoftë nga Sekretari i Shtetit apo nga ndihmëssekretari për çështjet e Evropës Lindore dhe Jugperëndimore, gjykoj se është ende herët të thuhet se kjo është e vërtetë.” – u shpreh Fatos Çoçoli në Dritare Tv/ E.P

















