Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hashim Thaçi: Është vetëm një e vërtetë, unë jam i pafajshëm

Hashim Thaçi: Është vetëm një e vërtetë,

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur fjalimin përmbyllës para trupit gjykues në Hagë, duke deklaruar se është plotësisht i pafajshëm.

Në fillim të fjalës së tij, ai uroi qytetarët shqiptarë me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përpara se të adresonte akuzat ndaj tij.

“Për gati tri vjet në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.
Thaçi kujtoi se në fillim të vitit 1998 ishte student në Cyrih dhe, sipas tij, nuk kishte plane për marrjen e kontrollit në Kosovë.
“Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998 isha student në Cyrih. Unë nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin e Kosovës. I vetmi që bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi”, deklaroi ai.
Thaçi theksoi se vendimi për t’u kthyer në Kosovë ishte i motivuar nga dëshira për të kontribuar për lirinë e vendit.

“Duke parë masakrat në vendin tim, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të vij në Kosovë dhe të bëj atë që do të bënte secili prej jush. Për këtë jam krenar dhe nuk pendohem asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave, si dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, kundërshtari i vetëm i tij dhe i UÇK-së ishte regjimi i Millosheviqit.
“Këto akuza janë shumë të rënda. Gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan dhe djalin e porsalindur e lërë me të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht... Fakti që jemi gjallë ishte fat. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit”, u shpreh ai.
Thaçi ka thënë se Millosheviqi ishte arsyeja pse UÇK-ja u masivizua dhe jo ai.
“Kjo prokurori më ndau shumë grada, më lavdëroi. Nuk isha unë që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk isha unë arsyeja pse UÇK-ja po mobilizohej, por ishte Millosheviqi. Albrighti e ka thënë më mirë, citoj: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i UÇK-së’. UÇK-ja nuk ishte ushtri e një shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor”, përfundoi Thaçi fjalimin para trupit gjykues./KohaDitore