Arrestohet vëllai i deputetes së PD-së në Itali!
Dritare.net

Markelian Hoti, vëllai i deputetes së PD-së Elda Hoti, është arrestuar në Romë në zbatim të një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga autoritetet belge, nën dyshimet për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, ai konsiderohej nga agjencitë ligjzbatuese si një nga organizatorët e një rrjeti kriminal që dyshohet se trafikonin kokainë mes Belgjikës, Dubait dhe Italisë.
27-vjeçari u lokalizua nga policia italiane teksa qëndronte me partneren në një strukturë akomodimi në periferinë lindore të Romës. Sipas mediave italiane, ai nuk ishte regjistruar në sistemin e posaçëm për evidentimin e mysafirëve, duke e bërë të vështirë identifikimin nga autoritetet. Pas verifikimit të identitetit, ai u dërgua në paraburgim, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave për ekstradim drejt Belgjikës.
Prokuroria belge kishte dokumentuar përfshirjen e tij në këtë organizatë kriminale, ku dyshohet se vepronte si organizator. Autoritetet pretendojnë se ai udhëtonte shpesh nga Evropa Veriore drejt Dubait për të menaxhuar aktivitetin e paligjshëm.
Zhvillimi kryesor në hetime erdhi pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehur në kontejnerë në portin e Antverpenit. Pas këtij operacioni, Hoti humbi gjurmët dhe në janar u shpall në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës, vepër që dënohet deri në 15 vite burg./K.C/dritare.net