Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Evropa po plaket më shpejt se SHBA-ja. Por cilat vende përballen me krizën më të madhe?

Evropa po plaket më shpejt se SHBA-ja. Por cilat vende përballen me

Nga Yuval Molina Obedman, Courthouse News-Bruksel.

Bashkimi Evropian po plaket më shpejt se Shtetet e Bashkuara, por sipas ekspertëve pyetja thelbësore nuk është kush është më i moshuar, por cili sistem është më i përgatitur për ta përballuar këtë realitet demografik.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, mosha mesatare në BE arriti në 44.9 vjeç vitin e kaluar dhe më shumë se një në pesë banorë është tashmë mbi 65 vjeç. Në SHBA, mosha mesatare ishte 39.1 vjeç në korrik 2024, rreth gjashtë vite më e re, ndërsa 18% e popullsisë është mbi këtë moshë.

Në letër, Evropa duket më e plakur dhe po shkon më shpejt drejt këtij realiteti. Mosha mesatare është rritur me 2.1 vjet që nga 2015 dhe raporti i varësisë së të moshuarve ka arritur në 34.5%, pak më shumë se tre persona në moshë pune për çdo person mbi 65 vjeç. Në Itali ka vetëm 2.6 punonjës për çdo pensionist. Ndërkohë, lindshmëria në SHBA ka rënë në nivele rekord, por plakja demografike ende mbetet disa vite pas Evropës.

Megjithatë, shifrat nuk japin përgjigje për pyetjen kryesore: cili kontinent është më i përgatitur për një të ardhme me popullsi më të moshuar? Sistemet universale të kujdesit shëndetësor në Evropë mund të zbusin presionet sociale, ndërsa produktiviteti më i lartë amerikan nuk i kompenson plotësisht sfidat e plakjes. Të dyja palët përballen me vendime të vështira politike për pensionet, të projektuara dikur për popullsi më të reja.

Parashikimet për të ardhmen

Sipas projeksioneve të Eurostat, deri në vitin 2100 Evropa mund të ketë më pak se dy punonjës për çdo pensionist dhe rreth një e treta e popullsisë mbi 65 vjeç. Popullsia e BE-së pritet të arrijë kulmin rreth vitit 2026 me 453 milionë banorë dhe më pas të bjerë në rreth 419.5 milionë, edhe pse emigracioni pritet të vazhdojë.

Vetëm në vitin 2024 Evropa pranoi afro 2 milionë banorë të lindur jashtë saj, një nga rritjet më të mëdha vjetore, por kjo nuk mjafton për të ndalur trendin e plakjes.

Si matet sfida e plakjes

Sipas studiuesit Vegard Skirbekk nga Universiteti i Oslos, raportet tradicionale të varësisë e ekzagjerojnë problemin evropian sepse trajtojnë çdo person mbi 65 vjeç si njësoj “të moshuar”, pa marrë parasysh gjendjen reale shëndetësore.

Një studim i vitit 2019 i publikuar në The Lancet tregoi se 76-vjeçarët në Japoni kanë probleme shëndetësore të ngjashme me mesataren globale të 65-vjeçarëve. Në vendet me të ardhura të larta, kryesisht evropiane, problemet shëndetësore të lidhura me moshën ranë me mbi 31% mes viteve 1990 dhe 2017, kryesisht falë përmirësimit të kujdesit shëndetësor.

Ekspertët theksojnë se trajtimet më të mira i mbajnë njerëzit aktivë më gjatë, duke ndryshuar vetë kuptimin e moshës 65 apo 75 vjeç. Sipas tyre, plakja është edhe histori suksesi: njerëzit jetojnë më gjatë.

Produktiviteti amerikan dhe pabarazitë

Demografi shqiptar Arjan Gjonça nga London School of Economics argumenton se modeli evropian i shëndetësisë është më i përshtatshëm për popullsi që plaken, pavarësisht avantazhit të SHBA-së në produktivitet.

SHBA-ja ruan lindshmëri disi më të lartë kryesisht falë emigracionit, pasi lindshmëria e amerikanëve vendas ndjek të njëjtat tendenca si në Evropë. Megjithatë, produktiviteti më i lartë ekonomik amerikan krijon avantazh afatgjatë.

Nga ana tjetër, sistemi privat i kujdesit shëndetësor në SHBA krijon pabarazi të mëdha në kujdesin për të moshuarit, pasi shumë shpenzime mbulohen nga vetë individët, përcjell dritare.net

Politika dhe pensionet

Në Evropë, rritja e moshës së pensionit shpesh has rezistencë politike. Në Francë, reforma që rriti pensionin nga 62 në 64 vjeç shkaktoi protesta të gjata në vitin 2023, ndërsa presidenti Emmanuel Macron e miratoi pa votim parlamentar. Debate të ngjashme ka pasur edhe Greqi.

Sipas studiuesit Jakob Kjellberg nga VIVE institute në Danimarkë, një model funksional është lidhja e moshës së pensionit me jetëgjatësinë, duke ruajtur rreth 17 vite pension mesatar.

Teknologjia dhe tregu i punës

Ekspertët presin që rritja e produktivitetit, sidomos falë inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale, të zbusë ndikimin e plakjes. Madje, parashikohet që brenda dy dekadash javët me katër ditë pune të bëhen më të zakonshme, gjë që mund të ndikojë pozitivisht edhe te lindshmëria.

Roli i emigracionit

Evropa do të ketë nevojë për emigracion të vazhdueshëm, sidomos për kujdesin ndaj të moshuarve. Megjithatë, edhe emigrantët plaken dhe shumë vende po përballen me të njëjtin fenomen.

Vetëm Gjermani dhe Malta kanë shënuar rënie të lehtë të moshës mesatare që nga 2015, dhe kjo shumë minimalisht.

Dy modele të ndryshme, e njëjta sfidë

Krahasimi tregon se nuk kemi një krizë të vetme, por dy sfida të ndryshme:

Evropa ka produktivitet më të ulët dhe treg pune më pak fleksibël, por kujdes shëndetësor universal.
SHBA ka ekonomi më produktive dhe popullsi më të re, por sistem më të pabarabartë social.
Në fund, suksesi mund të varet nga mënyra se si rritet produktiviteti, si mbahen të moshuarit më të shëndetshëm dhe si politikanët menaxhojnë vendimet e vështira për pensionet dhe tregun e punës./Përktheu Dritare.net