
Hapen dy klasa mësimore në spitalin pediatrik në QSUT!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë një vizitë në Spitalin Pediatrik në QSUT, ku janë hapur hapur dy klasa mësimore për fëmijët që ndodhen aty, të pajisura me teknologjinë më të fundit digjitale dhe mjete të nevojshme didaktike, falë modelit që ka sjellë Fondacioni izraelit SASA Setton.
Të pranishme ishin edhe ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu dhe e Arsimit e Sportit, Ogerta Manastirliu si edhe drejtues të fondacioni izraelit SASA Setton. Ministrja Manastirliu u shpreh se aktualisht klasat kanë 4 mësues të sistemit arsimor dhe një tjetër që është i përhershëm në spitalin pediatrik, të cilët do t’u ofrojnë fëmijëve të shtruar në spital edukim mësimor si dhe kurrikula të tjera mbështetëse sipas grupmoshës.
“Tashmë gati të dyja klasat e mësimit që kemi hapur falë ndihmës së çmuar të Sasa Setton Foundation, ku kemi këtu dhe kryetarin e fondacionit bashkë me ekipin. Dy klasa, të cilat janë, njëra si klasë kolektive për mësimin përmes teknologjisë, por edhe për mësimin sipas kurrikulës së shkollës për fëmijët që janë shtruar pranë spitalit pediatrik dhe një klasë arti për të gjithë programin jashtë mësimor. Kemi vendosur 4 mësues të sistemit arsimor dhe një mësues që është i përhershëm në pediatri, mësuesi i mësimit fillor. 4 mësues, të cilët do jenë pjesë e shkollës të ndërtuar tashmë në spitalin peditarik. Të dyja klasat që tashmë janë funksionale do të ofrojmë mësim, por dhe argëtim për fëmijët, të cilët trajtohen në këtë spital. Kapaciteti është i mjaftueshëm. Jemi përgatitur dhe për mësimin përmes teknologjisë dhe përmes librave, kurrikulës së shkollës, por edhe për mësimin e personalizuar, që falë trajnimit që fondacioni Sasa Setton është duke na ofruar nëpërmjet gjithë metodologjisë së re.” - shpjegoi Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.
Nxënia e dijes do të realizohet në kushtet më optimale sa i përket teknologjisë mësimore, në mënyrë që vogëlushët të ndihen sa më komodë dhe pavarësisht gjendjes së tyre fizike, të krijojnë një përvojë pozitive.
“Kemi ndërtuar dy klasa, njëra është klasë shumë disiplinore, ka teknologji, ka kodim. Ideja është që të sjellim më të mirën, teknologjinë e fjalës së fundit në spitalin e fëmijëve po kështu që t’i motivojmë ata, se ndonjëherë duke qenë në spital kanë një lloj ndjenje turpi. Duam të bëhen më të fortë, të ndihen krenar, të krijojmë një përvojë pozitive. Kemi tre printerë, kemi kodim, kemi syze virtuale që të ndihmojmë fëmijët të mësojnë matematikë, anglisht dhe për trupin e njeriut përmes teknologjisë.” – u shpreh përfaqësuesi i Fondacionit izraelit ndërsa theksoi se ekipi i mësuesve është shumë i përkushtuar në detyrën e tyre.
“Kemi një ekip të shkëlqyer mësuesish. Çdo mësues ka një tabletë që të mund të shkojë pranë shtratit dhe ta mësojë fëmijën aty. Kemi dhe materiale në gjuhën shqipe që t’i përdorë mësuesja dhe pjesë e gjërave që po bëjmë është që të vazhdojmë trajnimin me spitalin tonë në Izrael, që mësuesit e spitalit atje të trajnojnë mësuesit këtu. Kemi vendosur 4 mësues për dy klasat dhe po kështu do të nisim menjëherë me trajnimin e vazhduar që të ecim krahë për krah me partneritetin tonë më mënyrë që të thellojmë këtë projekt dhe po kështu për ta zbatuar atë dhe në spitale të tjera.” – u shpreh ai.
Drejtuesit e fondacioni izraelit SASA Setton falënderuan ndër të tjera për bashkëpunimin e ofruar nga ministritë e përfshira në këtë projekt.
“Faleminderit që ke caktuar ministre kaq të shkëlqyera sepse bashkëpunimi ka qenë i jashtëzakonshëm në 100%.” – u shprehën ata, ndërsa informuan se shkolla ofron programin e matematikës, programin për anatominë e njeriut, programin e anglishtes, të cilat janë mjaft të sofistikuara.
Duke ndarë përvojën e spitaleve në Izrael, drejtuesit e Fondacionit thanë se do të jenë vazhdimisht të angazhuar në zbatimin e metodave të reja të mësimdhënies, si dhe të përfshirjes së kurrikulave që ndihmojnë edhe në trajtimin mjekësor të pacientit.
“Në Izrael kemi së paku 5 spitale, të cilat janë të përqendruara vetëm tek arti, çdo gjë është e lidhur me artin, ka terapi arti, kryesisht në spitalet psikiatrike dhe këtu këtë kanë zgjedhur dhe kanë një kurrikul të veçantë që mëson përmes artit, përmes metodave të artit fëmijët e gjithë grupmoshave, është deri në moshën 18 vjeçare. Këtu nuk është për të gjitha grup moshat, por dalëngadalë do marrim të gjithë informacionin. Kemi këtë sallë arti për fëmijët. E dimë që përdorimi i artit dhe ju si artist e dini, e kuptoni se çdo të thotë të rimëkëmbesh përmes artit. Mund të shprehësh ndjenjat, vështirësitë e tyre.
Sigurisht është dhe biblioteka për fëmijët e vegjël ku mund të luajë lego, ka dhe një tabletë smart. Janë të gjitha funksionet që duhen në këtë sallë.” – treguan ata./E.P-dritare.net

















