
Fshatari i vetëm nuk e mban dot Shqipërinë me ushqim! Aleksandër Jorgaqi kërkon rikthimin e bashkësive prodhuese
Dritare.net
Në një intervistë për emisionin Shqip në Dritare TV me Rudina Xhungën, Aleksandër Jorgaqi, veteriner 92-vjeçar dhe ish-drejtor i ndërmarrjes bujqësore të Roskovecit, bëri një thirrje të fortë për krijimin e bashkësive bujqësore moderne – si e vetmja mënyrë për të shpëtuar prodhimin vendas dhe për të kthyer kuptimin e vërtetë të fjalës “fermer”.
“Sot quajmë ‘fermer’ edhe atë që ka një lopë dhe një arë për vete. Kjo nuk është bujqësi. Ai është bujk, jo fermer. Fermeri është ai që prodhon për tregun, jo vetëm për familjen,” – deklaroi Jorgaqi.
Ai tha se Shqipëria nuk mund të furnizojë tregjet e saj me mijëra ekonomi të vogla dhe të copëzuara, që funksionojnë të izoluara dhe pa akses në teknologji, mekanizim apo kontrata të qëndrueshme.
“Shqipëria ka nevojë për bashkësi – për komplekse të mëdha që bashkojnë fshatarët rreth një qëllimi: prodhimit cilësor, të qëndrueshëm, dhe me treg të garantuar.”
Sipas Jorgaqit, nuk bëhet fjalë për rikthim të kooperativës së dikurshme, por për bashkëpunim ekonomik sipas modelit europian:
– Ku toka dhe puna bashkohen, por prona mbetet individuale;
– Ku fshatari merr pjesë me çfarë ka, por përfiton nga infrastruktura e përbashkët;
– Ku funksionon zinxhiri i plotë: prodhim – përpunim – tregtim.
“Pse funksionojnë serat?” – pyet Jorgaqi. “Sepse hyjnë në logjikën e tregut. Kanë çmim, kanë kërkesë, kanë mekanizim. I njëjti model duhet të zbatohet edhe në blegtori dhe bujqësi.”
Ai paralajmëroi se nëse nuk krijojmë bashkësi prodhimi, fshati shqiptar do të zbrazet krejtësisht dhe vendi do të varet nga importi, me pasojë çmime më të larta dhe cilësi më të ulët.
“Një fshatar vetëm nuk bën dot asnjë ndryshim. Një bashkësi e organizuar prodhon, ushqen dhe fiton,” përfundoi Jorgaqi./dritare.net

















