
Do vdesim për demokracinë! Letra e lamtumirës që oficerët e SHIK-ut u lanë familjeve!
Dritare.net
Në një intervistë për Roland Qafokun në Dritare TV, Xhevdet Zekaj rrëfeu një moment të panjohur më parë, që ndodhi në kulmin e krizës së 14 shtatorit 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit. Ai tregoi se në ato ditë të rënda, kur SHIK-u ishte i rrethuar dhe institucionet ishin në prag të rrëzimit, disa punonjës të shërbimit sekret shqiptar kishin dërguar letra lamtumire familjarëve të tyre.
“Dy shokë të mi, oficerë, ish-komunistë, nga ana e sigurimit të shtetit, kishin shkruar:
‘Nëse do vdesim, do vdesim këtu, për demokracinë, për lirinë, për mosrrëzimin e pushtetit. Nuk e lëshojmë shërbimin informativ’”, tha Zekaj.
Ai shtoi se situata ishte aq e tensionuar kishte edhe punonjës që ishin informatorë të dyfishtë, që u dërgonin paralajmërime palëve të ndryshme, duke mbrojtur ndërtesën nga një përplasje e përgjakshme.
“Na thoshin ‘mos guxoni të futeni, se do bëhet kasapanë’. Ishim armatosur të gjithë për të mbrojtur institucionin. Kam marrë automatikun dhe kam shkuar me makinë të marrë bashkëshorten, nga frika se mos ndodhte ndonjë tragjedi”, – u shpreh Zekaj.
Ai e konsideroi datën 14 shtator një akt të dirigjuar nga forca destabilizuese, ku Serbia, sipas tij, kishte rolin kryesor për të diskredituar shtetin shqiptar përballë Perëndimit dhe për të sabotuar procesin e shtetformimit të Kosovës./E.P-dritare.net

















