Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Po hamë, por nuk po ushqehemi! Çfarë ndodh me ushqimet në Shqipëri dhe pse jemi në rrezik

Po hamë, por nuk po ushqehemi! Çfarë ndodh me ushqimet në

Në intervistën për Shqip në Dritare TV me Rudina Xhungën, Aleksandër Jorgaqi, veteriner dhe ish-drejtor i ndërmarrjes bujqësore të Roskovecit, dha një mesazh të fortë për shëndetin publik:
“Sot, shqiptarët po hanë, por nuk po ushqehen.”

Ai tha se gjithnjë e më shumë qytetarët kanë frikë nga ajo që konsumojnë:
“Qershitë s’i hëngrëm këtë vit. Shalqiri nuk ka më shije. Domatja nuk pihet më me kripë, sepse është rritur me plehra kimikë dhe hormone.”

Sipas tij, kjo ndodh sepse nuk ka më blegtori, nuk ka më pleh organik, nuk ka më ushqim që vjen nga toka dhe nga kafsha.
“Plehrat e stalles janë zëvendësuar me kimikate të padukshme, që japin prodhim, por jo shije. Jo jetë,” – tha Jorgaqi.

Ai tregon se në kohën kur drejtonte fermën e Roskovecit, eksporti i domateve shoqërohej me inspektim nga specialistë çekë:
“Na thoshin: këto domate kanë shije! Dhe ishte sepse i ushqenim me pleh organik, jo me nitrate.”

Por sot, thotë ai, është krijuar një treg i rremë:
– Qumështi është pluhur.
– Djathi është me amidon.
– Vezët vijnë nga pula që s’kanë parë kurrë dritën e diellit.
– Mishi ka shijen e kashtës.

“Po s’pate blegtori, nuk ke as bujqësi, as shëndet, as ushqim,” – paralajmëron ai.
Dhe situata është serioze, sepse pasojat nuk ndihen menjëherë:
“Nuk po na helmon buka sot, por na sëmur ngadalë çdo ditë. Dhe kjo është më e rrezikshme.”

Zgjidhja sipas tij është e qartë:
– Ringritja e blegtorisë,
– Rikthimi te prodhimi vendas me bazë organike,
– Mbyllja e ciklit tokë–kafshë–ushqim.

“Ne s’mund të ushqehemi nga supermarketet. Duhet të prodhojmë vetë. Ose do të hamë, por nuk do të jetojmë gjatë,” – përfundon Jorgaqi./dritare.net