
Erisa Xhixho: Ilir Meta lirohet pas 11 majit!
Dritare.net
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë dhe kandidatja e koalicionit “Shqipëria Madhështore” në qarkun e Tiranës, Erisa Xhixho, e ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV, ka deklaruar se Ilir Meta pritet të lirohet pas zgjedhjeve të 11 majit, nëse siguron mandatin e deputetit.
“Ilir Meta nuk preferoi të ishte në listat e mbyllura. Ai donte të përballej drejtpërdrejt me qytetarët. Për këtë arsye, çdo ditë u shkruan letra personave të ndryshëm, duke u kërkuar mbështetjen e tyre me votë,” – u shpreh Xhixho.
Sipas saj, objektivi është që Meta të marrë 30–40 mijë vota në Tiranë.
“Nga kalkulimet që kemi bërë, mjaftojnë rreth 12 deri në 15 mijë vota që ai të sigurojë mandatin. Por konkurrenca është e fortë dhe ndonjëherë edhe një votë mund të bëjë diferencën në listat e hapura. ” – tha ajo, duke shtuar:
“Jam e bindur se Ilir Meta do të jetë emri më i votuar në qarkun e Tiranës.”
Xhixho shprehu siguri për fitoren e koalicionit në Tiranë
“Koalicioni ynë do të marrë 20 mandate në Tiranë, për këtë jam e sigurt.”
E pyetur nga gazetari Roland Qafoku nëse Ilir Meta do të lirohet nëse fiton mandatin, ajo tha:
“Në momentin që ai merr mandatin dhe certifikohet, brenda një muaji, pra rreth datës 11 qershor, ai lirohet. Nuk besoj se ka ndonjë pengesë që mund ta ndalojë këtë proces. Me 11 maj ne fitojmë dhe Shqipëria çlirohet.”
Xhixho e quajti arrestimin e Metës të turpshëm dhe tha se nuk dëshironte të ndalej më tej në atë temë./E.P-dritare.net

















