
Era Sula: Ju tregoj fuqinë e rozmarinës, si ta përdorni për flokët tuaja!
Dritare.net
Nëse më parë vraponim drejt qendrave estetike për të marrë shërbime të ndryshme, tani më shumë se kurrë duhet të kujdesemi vetë për veten. Ndaj sot në instagramin e Dritare_net kishim të ftuar Era Sulajn, administratore e Bio’s Shop Era, e cila na rrëfeu disa sekrete se si të kujdesemi për flokët dhe fytyrën gjatë karantinës. Është koha më e mirë për t’u shkëputur nga lajmet e trishta, dhe për t’i kushtuar disa orë vetes, bazuar në këshilla që për çdo ditë kemi dhënë në Dritare.net. Nga lëndinat mbushur me rozmarinë, Era na tregoi se ky është një produkt magjik për flokët.
Sidomos për ata që vuajnë nga yndyra e tepërt, pasi rozmarina tregoi ajo, bën balancimin e yndyrës në flokë. Nuk besojmë që në ndonjë ballkon mungon vazoja me rozmarinë, ndaj e keni fare të thjeshtë të krijoni një maskë perfekte.
Si ta përdorni?
Merrni disa degë rozmarine, ziejini me zjarr të ulët për një orë. Më pas, këshillon Era, uji duhet të lihet për tre orë mbyllur në errësirë. Dy herë në javë shpëlajini flokët tuaj me këtë ujë që bën mrekulli.
Sidomos për zonjat, por jo vetëm, ata që kalojnë kohë në kuzhinë duke gatuar, Era ka një këshillë të vyer, që nuk duhet ta harroni. Avulli i gatimit, i dëmton flokët, ndaj vendosni gjithmonë një shami në kokë.
Era gjithashtu sugjeron një produkt tjetër për flokët. Një kombinim vajor, nga Era’s Bio Shop, për të gjitha llojet e flokëve.
Ndërsa pranverën e kaluam në shtëpi, presim që së shpejti të dalim nga karantina. Me rritjen e temperaturave dielli do të jetë më i fortë, që përkthehet në një armik për lëkurën nëse nuk përdorim krem mbrojtës. Ndaj siç shprehet Era, nëse nuk doni që në vijim të blini produkte për heqjen e njollave kafe, mos neglizhoni përdorimin e kremit mbrojtës.
Po kështu e bardha e vezës, është një ilaç për fytyrën. Përdoreni të paktën një herë në javë, dhe do të shikoni rezultat në fare pak kohë. Mos i neglizhoni maskat këto kohë. Stresi i shkaktuar si pasojë e situatës së koronavirusit, ndikon në rënien e flokëve dhe krijimin e rrudhave, ndaj merrni disa minuta çdo ditë, për t’iu kushtuar tërësisht vetes./L.F-Dritare.net

















