
Labubu pushton botën: Pop Mart shënon rritje marramendëse nga suksesi global i lodrës virale
Dritare.net
Kompania kineze e lodrave Pop Mart ka raportuar një rritje të jashtëzakonshme të fitimeve për gjysmën e parë të vitit 2025, të cilat pritet të rriten me mbi 350%, ndërkohë që të ardhurat janë më shumë se trefishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në qendër të këtij suksesi është lodra ikonike Labubu – një krijesë imagjinare me pamje elfi dhe dhëmbë të theksuar – që ka marrë përmasa kulturore globale, duke bërë për vete koleksionistët në mbarë botën. Pop Mart, e njohur për lodrat në formë “blind box” (paketime surprizë ku përmbajtja nuk dihet derisa të hapet), ka përfituar ndjeshëm nga ky trend, pavarësisht kritikave për ngjashmërinë e kësaj metode me sjellje të ngjashme me bixhozin.
Kompania me qendër në Pekin, e cila ka një vlerë tregu mbi 40 miliardë dollarë, deklaron se përmirësimi i fitimeve është ndikuar nga rritja e njohjes së markës në nivel global dhe kontrolli i kostove. Vetëm gjatë vitit 2024, gati 40% e të ardhurave totale të Pop Mart vinin nga jashtë territorit të Kinës kontinentale.
Labubu është kthyer në një fenomen ndërkombëtar, sidomos në SHBA, ku shitjet janë rritur me 5,000% në qershor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kim Kardashian dhe Lisa nga grupi K-pop Blackpink janë ndër figurat që kanë dhënë një shtysë të madhe popullaritetit të lodrës. Bashkëpunimet me marka të mëdha si Coca-Cola dhe franshiza e njohur japoneze “One Piece” kanë ndihmuar më tej në rritjen globale të Labubu.
Dyqanet në mbarë botën janë detyruar të ndalojnë përkohësisht shitjet e Labubu-ve për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme dhe radhëve të gjata të blerësve. Në tregun e rishitjes, çmimet kanë arritur shifra marramendëse: nga 10 dollarë, disa modele shiten për qindra dollarë, ndërsa një Labubu në përmasa njerëzore u shit për 150,000 dollarë në një ankand në Pekin.
Por bashkë me suksesin ka ardhur edhe një rritje e tregut të lodrave false, të njohura si “Lafufu”. Autoritetet kineze sekuestruan mbi 46,000 kopje të rreme të Labubu-ve vetëm gjatë qershorit, në përpjekje për të frenuar tregun e zi në rritje.
Pop Mart, që prej listimit në bursën e Hong Kongut në vitin 2020, ka parë një rritje prej pothuajse 600% të vlerës së aksioneve vetëm në një vit. Ndërsa kompania operon rreth 40 dyqane në SHBA krahasuar me 400 në Kinë, analistët shohin potencial të jashtëzakonshëm për zgjerim në tregun amerikan.
Labubu nuk është më thjesht një lodër. Ajo është kthyer në një simbol të kulturës pop bashkëkohore dhe një motor i fuqishëm ekonomik për kompaninë që e krijoi./L.F-dritare.net

















