Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ekspozitë te Vila 31. Lume Blloshmi, Kostandin Poga dhe botime nga ish-të përndjekurit politikë

Ekspozitë te Vila 31. Lume Blloshmi, Kostandin Poga dhe botime nga
Fotografia nga Kostandin Poga, Spaç, 1992

Invictus paraqet perspektiva artistike vendase mbi të kaluarën diktatoriale të Shqipërisë. Përmes
pikturave të Lume Blloshmit, fotografive të Kostandin Pogës dhe një përzgjedhjeje botimesh nga
ish-të përndjekurit politikë, publiku ftohet të angazhohet me tema të vuajtjes, kujtesës dhe
rezistencës.

Artistja e njohur shqiptare Lume Blloshmi (1944–2020), jeta dhe vepra e së cilës u formësuan
thellësisht nga traumat e regjimit komunist, eksploron në tre pikturat e paraqitura plagët e thella të lëna nga diktatura dhe ndikimin e saj të vazhdueshëm në shoqërinë bashkëkohore.
Një seri fotografish të realizuara në vitin 1992 nga Kostandin Poga, dokumentojnë atë që kishte
mbetur e paprekur nga burgjet, kampet e punës dhe vendet e internimit, duke shërbyer si dëshmi e fortë e shtypjes sistematike dhe vuajtjeve të përjetuara nga mijëra të burgosur dhe të internuar politikë. Ndërkohë, botimet memuaristike të ish-të përndjekurve, duke dëshmuar historitë e panjohura të vuajtjes e duke u dhënë zë atyre që përjetuan persekutimin, mbeten sot një dëshmi e vyer e rezistencës njerëzore.

Paraqitja e këtyre veprave brenda Vilës 31, sfidon neutralitetin e saj, duke krijuar një hapësirë për reflektim dhe dialog. Titulli Invictus (latinisht "i pamposhtur") i referohet poezisë së poetit anglez William Ernest Henley-t të titit 1875, e cila depërtoi në burgjet komuniste duke u kthyer në një himn për shumë të burgosur—një deklaratë e rezistencës, vetëvendosjes dhe forcës së brendshme përballë vështirësive. Shkrimtari shqiptar Visar Zhiti i burgosur për shkrimin e poezive dekadente që bienin ndesh me realizmin socialist, kujton se si poema Invictus kishte hyrë ilegalisht në burg dhe kishte shërbyer si himn për shumë të burgosur politikë duke mbajtur gjallë shpirtin dhe idealet e tyre.

Kjo poezi ka frymëzuar shumë figura historike, ndër to dhe Nelson Mandelën, i cili shpesh ia
recitonte vetes gjatë 27 viteve të burgut. Në zemër të Invictus qëndron një seri dokumentimesh fotografike të realizuara në vitin 1992, pas rënies së regjimit komunist. Këto imazhe tronditëse dokumentojnë mbetjet e burgjeve, kampeve të punës së detyruar dhe fshatrave të internimit, duke shërbyer si dëshmi të qarta të shtypjes sistematike dhe vuajtjeve të përjetuara nga mijëra të burgosur dhe të internuar politikë.

Në vitin 1992, fotografi Kostandin Poga, i shoqëruar nga ish-i burgosuri politik Dhimitër Lala dhe
me indiciet e marra nga Institutit për Integrimin e të Përndjekurve Politikë, ndërmori një udhëtim për të dokumentuar këto vende terrori në të gjithë Shqipërinë. Një vit më vonë, në vitin 1993, ai prezantoi fotografitë e tij në ekspozitën “Ferri në Diktaturë” në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Që atëherë, imazhet e tij janë shpërndarë gjerësisht në media, duke mbajtur gjallë kujtesën e këtyre kapitujve të errët të historisë.

Gjithashtu, Invictus përfshin tre piktura të artistes së njohur shqiptare Lume Blloshmi (1944–2020), jeta dhe vepra e së cilës u formësuan thellësisht nga traumat e regjimit komunist. Babai i Blloshmit u ekzekutua pa gjyq në vitin 1944, së bashku me 35 intelektualë të tjerë, në një nga aktet e para të shtypjes politike nën regjimin komunist. Edhe kushëriri i saj, poeti Vilson Blloshmi, vuajti nga persekutimi i regjimit. Në vitin 1977, autoritetet e arrestuan atë me akuzat për “sabotim të ekonomisë, agjitacion dhe propagandë”, duke i konsideruar poezitë e tij të pabotuara si kërcënim.

Së bashku me poetin Genc Leka, ai u ekzekutua më 17 korrik 1977. Ndërkohë, vëllai i Vilsonit,
Bedriu, u dënua me 25 vite burg. Pas dhënies së dënimeve, më 14 korrik 1977, regjimi urdhëroi
internimin e disa anëtarëve të familjes Blloshmi (Hasan, Fitnete, Hyni, Hamdi, Sami, Nadire,
Selman, Nazmi, Alida, Diana, Bukurosh dhe Estref Blloshmi). Në vitin 1982, internimi i tyre u zgjat edhe për pesë vite të tjera, duke u justifikuar me burgosjet e mëparshme dhe me aktivitete të supozuara kundër regjimit. Përjetimet e familjes Blloshmi pasqyrojnë shtypjen e gjerë që përjetuan shumë intelektualë dhe artistë shqiptarë gjatë periudhës komuniste.

Artistja Lume Blloshmi, megjithëse u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1968, u
ndalua për arsye politike të vazhdonte praktikën e saj artistike midis viteve 1974 dhe 1985. Si
pasojë, Lume realizoi ekspozitën e saj të parë personale vetëm në moshën dyzet e katër vjeçare,
drejt fundit të regjimit komunist. Si shumë artistë të tjerë, ajo gjeti lirinë krijuese vetëm pas rënies së regjimit, një periudhë që i lejoi të trajtonte tema që më parë ishin të censuruara. Në disa nga veprat e saj të mëvonshme, ajo eksploroi plagët e thella të lëna nga komunizmi dhe ndikimin e tij të vazhdueshëm në shoqërinë bashkëkohore. Pikturat e saj në këtë ndërhyrje shërbejnë si një dëshmi e fuqishme e qëndrueshmërisë së shprehjes artistike përballë shtypjes.
Pjesë e ndërhyrjes janë gjithashtu librat e botuar nga ish-të burgosur dhe të përndjekur politikë, të cilët kanë ndarë përvojat e tyre në forma të ndryshme, nga poezia te kujtimet personale e deri te letërsia artistike. Këto libra do të ekspozohen gjatë ditëve të hapjes dhe do të jenë të disponueshme për publikun për t’u lexuar mbi tryezën e madhe në dhomën e dytë të hapësirës.
Botimet nga ish-të burgosur politikë përfshijnë dëshmi dhe shkrime nga Kujtim Aliaj, Vilson
Blloshmi, Sofika Cara (Prifti), Gëzim Çela, Bedri Çoku, Ethem Fezollari, Zhejoti Fisnik, Shefqet
Gjana, Mhill Gjinaj, Hysen Ismail Haxhiaj, Daut Gumeni, Agron Kalaja, Peço Kagjini, Genc Leka,
Marie Mazrreku (Gjoka), Ylber F. Merdani, Gjon Mark Ndoj, Mark Përgjoni, Henrik Prendushi,
Vlash Prendi, Hakri Rizaj, Fatbardha Saraçi (Mulleti), Hektor Shënepremte, Nuredin Skrapari, Aldo Renato Terrusi dhe Leka Toto.

Lumturi Blloshmi (1944–2020) lindi dhe jetoi në Tiranë. Babai i Blloshimit ishte oficer i Qeverisë
së Mbretit Zog I dhe u ekzekutua nga komunistët kur Lumturia ishte vetëm dy muajshe. Kur ishte pesë vjeç ajo humbi dëgjimin pas një infeksioni me meningjit. Blloshmi u diplomua në Degën e Pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1968. Në vitin 1973 bëhet pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve por nga viti 1974 deri në 1984 i hiqet leja krijuese duke mos e lejuar të ekspozojë dhe vazhdojë praktikën e saj krijuese. Pas diplomimit Blloshmi punoi si puntore offseti në shtypshkronjën Mihal Duri; më pas punoi si redaktore dhe ilustruese në shtëpinë botuese të librit shkollor deri në vitin 1989. Deri në vitin 2004 punoi në disa institucione, ndër të cilat në Galerintë Kombëtare e Arteve dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Ekspozitën e saj të parë vetjake ajo e çeli në vitin 1988 në Berat. Pas viteve ’90-të ajo shquhet si një nga artistet më të mira bashkëkohore në artin pamor shqiptar. Praktika e saj mes artit modern dhe atij bashkëkohor është një sintezë e instalacionit, fotografisë, vizatimit dhe pikturës. Disa nga veprat e saj janë përfshirë në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Punimet e saj janë shfaqur ndër të tjera në ekspozita në grup dhe vetjake në institucione të tilla si: Muzeu i Artit, Chelsea, Nju Jork; Galeria Komunale e Arteve, Bydgoszcz, Poloni; Bienalja e Aleksandrisë për Vendet e Mesdheut, Aleksandri, Egjipt; Galeria Kombëtare e Arteve e Shqipërisë; Galeria Kombëtare e Arteve e Kosovës. Ajo ishte artista e parë grua që përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias në edicionin e 59-të kuruar nga Adela Demetja. Blloshmi ndërroi jetë më 27 Nëntor 2020 si pasojë e një infeksioni me Covid-19.

Kostandin Poga ka lindur më 13 maj 1950 në Tiranë. Ka përfunduar studimet në Politeknikumin
“7 Nëntori” për elektronikë. Që nga viti 1976 deri në 1987 ka punuar si fotograf dhe operator në
Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në vitin 1988 është atestuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe ka punuar gjithashtu si fotoreporter në revistën “Në Shërbim të Popullit”, organ i MPB-së. Në fillim të viteve ’90 u hap revista “Policia Sot”, organ i Policisë së Shtetit, ku Poga vazhdoi të shërbente si fotoreporter. Pas mbylljes së kësaj reviste, ai vazhdoi punën si fotograf në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, e më pas punoi në Institutin e Policisë Shkencore (në laboratorin e fotografisë kriminale). Më 13 janar të vitit 1993 hapi ekspozitën fotografike “Ferr në Diktaturë” në Muzeun Kombëtar, me foto dokumentuese nga burgjet dhe kampet e punës së detyruar të realizuara gjatë vitit 1992, dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita të tjera. Në vitin 2015 doli në pension, por vazhdoi të jetë i angazhuar si fotograf në portalin Dritare.net.

Adela Demetja është kuratore nga Tirana, Shqipëri, aktive në Evropën Juglindore dhe Evropën
Perëndimore. Prej 20 vitesh, ajo ka iniciuar dhe organizuar projekte kulturore me synimin për të
nxitur bashkëpunimin rajonal në sektorin e artit dhe kulturës në Evropën Juglindore. Si kuratore e pavarur dhe menaxhere kulture, përmes ekspozitave, aktiviteteve kulturore dhe artikujve, ajo ka promovuar në mënyrë të vazhdueshme artistë dhe artin nga rajoni i Evropës Juglindore në Evropë dhe në SHBA. Ajo mban një master në "Studime Kuratoriale dhe Kritike" nga Städelschule dhe Universiteti Goethe në Frankfurt/Main. Demetja u formua fillimisht si piktore dhe studioi nga viti 2002 deri në 2006 në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri. Ajo është drejtoresha e Tirana Art Lab – Qendra për Art Bashkëkohor, një institucion i pavarur arti, të cilin e themeloi në vitin 2010.

Si kuratore e pavarur, ajo ka organizuar dhe kuruar një numër të madh ekspozitash ndërkombëtare, ndër të tjera në institucione si: Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, Galeria Kombëtare e Arteve në Prishtinë, Teatri Maxim Gorki në Berlin, Instituti për Art Bashkëkohor në Portland, Project Biennale D-0 Ark Underground Konjic, Action Field Kodra në Selanik, Lothringer 13 Kunsthalle në Mynih, Villa Romana në Firence, dhe Haus am Lützowplatz në Berlin. Ajo jeton mes Frankfurtit dhe Tiranës. Në 2022 ajo u emërua kuratore e Pavijonit Shqiptar në Bienalen e 59-të të Artit në Venecia, përfaqësuar nga artistja Lume Blloshmi.

Hapja 9 Prill, 17:00-21:00
Kohëzgjatja 10-13 Prill 14:00-20:00

Felenderime për: Fabio Toska, Institutit të Integrimit të Ish të Përndjekurve Politik, Albes Fusha,
Ervin & Edi Blloshmi, Olsi Laska, Nita Deda, Media Graph./dritare.net