Rama: Ndërtimi solli transformim, e fusin në kornizën e krimit për të nxirë imazhin e vendit
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës se sektori i ndërtimit në Shqipëri po financohet nga paratë e krimit, duke theksuar se ky sektor ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe transformimin urban të vendit. Deklaratat Rama i bëri gjatë një takimi me sipërmarrës të ndërtimit, pasi opozita e akuzoi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë se me firmën e tij po favorizohen investime të dyshimta. Rama pranoi se sektori i ndërtimit mund të ketë probleme informaliteti, por sipas tij kjo nuk është arsye për ta lidhur atë me aktivitet kriminal.
"Sektori i ndërtimit sjell shumë të mira, por nga ana tjetër si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme, baltë që lëndon një numër të madh protagonistësh. As nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit, përfshirë edhe vende që na bëjnë leksione ne, ka probleme dhe problemet këtu në Shqipëri janë më të mprehta në disa raste se ç’janë në vende të tjera. Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër, qartë si drita e diellit dhe e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë këtij sektori. Por që këtë sukses, këtë transformim që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm menjëherë sa dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme. Ka shumë arsye pse Shqipëria mund të bëjë ndërtime të tilla, është e pamundur për disa që ta pranojnë suksesin e Shqipërisë po punë e madhe. Por ama është e pamundur për ne që të pranojmë se shumica ndërtuese e atyre që investojnë në ndërtim të futen në thesin e blatës për disa që mund të jenë patjetër ashtu siç thuhet. Bashkia e Tiranës ka marrë 14 mln euro taksë vetëm nga ky projekt, nga ky projekt kur të bëhet realitet, komuniteti do fitojë çerdhen, kopshtin dhe ndërkohë bashkia mund të fitojë edhe një shkollë, sepse angazhimi i investitorit është të ndërtojë edhe shkollën në momentin që do t’i jepet trualli për ta ndërtuar. Në këto 14 mln euro janë edhe pjesa që shkon te 3% për strehimin. Kush investon në këto projekte, investon për një vlerë të shtuar. Këto apartamente nuk i blen dot as një i varfër dhe as një njeri që thjesht jeton me një pagë të ulët apo mesatare, por nga ndërtimi i këtyre apartamenteve, bashkia e Tiranës dhe bashki që ndërtojnë të tilla marrin një taksë që është 3% vetëm për fondin e strehimit për të ndërtuar dhe investuar në skema të strehimit social. Për ata që lehin në çdo gjuhë, nga shqipja deri në anglisht dhe në gjuhë të tjera dhe që menjëherë nxitojnë ta kornizojnë këtë transformim si transformimin e krimit, sot që flasim ku projekt ka 350 apartamente të porositura nga vetëm diaspora shqiptare dhe që nuk paguhen me cash, por paguhen me bankë dhe 350 apartamente janë ¼ e apartamenteve që do të ketë gjithë ku kompleks i madh dhe sot janë të porositura", tha Rama./K.C/dritare.net