NASA publikon imazhet e para nga fluturimi mbi Hënë. Toka dhe eklipsi diellor
Dritare.net

NASA ka publikuar fotografitë e para të realizuara nga astronautët e misionit Artemis II gjatë fluturimit rreth Hënës, duke ofruar pamje spektakolare të Tokës dhe një eklipsi diellor nga hapësira.
Një nga imazhet më të veçanta tregon të ashtuquajturin “Earthset”, ku Toka shfaqet duke u ngritur mbi horizontin e kraterizuar të Hëna. Një tjetër fotografi kap momentin kur Hëna bllokon Diellin, duke krijuar një eklips diellor të rrallë që astronautët e përshkruan si “të pabesueshëm”.

NASA nuk bëri të ditur se cili nga astronautët i realizoi fotografitë, të cilat u shkrepën gjatë një fluturimi gjashtëorësh rreth Hënës, përfshirë edhe një periudhë pa komunikim radio kur kapsula Orion ndodhej në anën e largët të saj.
Pamja e “Earthset” rikujton fotografinë ikonike “Earthrise” të realizuar nga astronauti Bill Anders gjatë misionit Apollo 8 në vitin 1968, një nga imazhet më të famshme të Tokës nga hapësira.

Gjatë eklipsit, astronautët panë kurorën e Diellit që formonte një aureolë rreth Hënës, ndërsa në sfond ishte e dukshme edhe Venusi. Astronauti Victor Glover e përshkroi përvojën si “shkencë-fantastike” dhe “surreale”.
NASA bëri të ditur se astronautët shijuan rreth 54 minuta eklips total, shumë më gjatë se sa mund të shihet nga Toka. Gjatë fluturimit, ekuipazhi gjithashtu regjistroi përshkrime audio të sipërfaqes së Hënës, të cilat do të analizohen nga shkencëtarët për të marrë të dhëna të reja.
Fotografitë e publikuara konsiderohen ndër pamjet më spektakolare të realizuara gjatë misionit Artemis II dhe një hap tjetër drejt rikthimit të njerëzimit në Hënë./dritare.net
