Policia: Kujdes nga mesazhet për gjobat e makinës. Mos i klikoni këto linqe
Dritare.net

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një valë mesazhesh mashtruese që qarkullojnë në emër të e-Albania, ku qytetarëve u dërgohen njoftime të rreme për pagesën e gjobave të automjeteve. Mesazhet përmbajnë linqe false që drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare.
Autoritetet sqarojnë se këto mesazhe nuk kanë asnjë lidhje me e-Albania apo institucionet shtetërore dhe këshillojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm: mos klikoni linke nga numra të panjohur, mos jepni të dhëna personale apo bankare dhe mos veproni nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë.
Policia rekomandon gjithashtu përdorimin ekskluziv të faqes zyrtare https://e-albania.al, fshirjen e menjëhershme të mesazheve të dyshimta dhe raportimin e çdo rasti pranë autoriteteve.
“Policia e Shtetit vijon punën për identifikimin dhe goditjen e këtyre skemave mashtruese, duke mbetur e angazhuar për garantimin e sigurisë digjitale të qytetarëve,” thekson Policia./K.C/dritare.net