Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjykata e Posaçme dënon me 11 vite burg biznesmenin Rezart Taçi

Gjykata e Posaçme dënon me 11 vite burg biznesmenin Rezart

Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për biznesmenin Rezart Taçi, duke e dënuar me 11 vite burg për veprën penale të pastrimit të parave në bashkëpunim me mafien italiane, Cosa Nostra.

Vendimi u dha këtë të martë, ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte kërkuar më herët dënimin e tij me 13 vite burg. Taçi ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2021, nën akuzat për pastrim parash dhe përfshirje në grup kriminal.

Gjatë seancës, prokurori Klodian Braho kërkoi jo vetëm dënimin e biznesmenit, por edhe konfiskimin e mbi 18 milionë eurove të depozituara në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Sipas hetimeve, kjo shumë parash do të transferohej më pas drejt llogarive në Hong Kong dhe Singapor, si pjesë e një skeme të dyshuar pastrimi parash.

Nga hetimet rezulton se në këtë operacion ishin të përfshirë edhe shtetasit italianë Francesco Zummo, i hetuar në Itali për favorizim të organizatës mafioze Cosa Nostra, si dhe Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli.

Sipas SPAK, skema e pastrimit të parave parashikonte që fondet të paraqiteshin si investim në sektorin e hidrokarbureve. Paratë, rreth 18 milionë euro, u depozituan në një bankë në Shqipëri dhe u legjitimuan si pjesë e një marrëveshjeje financiare, ndërsa dyshohet se nga kjo skemë Rezart Taçi do të përfitonte rreth 3 milionë euro.

Prokuroria bëri të ditur gjithashtu se kishte siguruar prova, përfshirë një draft marrëveshjeje për shumën e depozituar, e cila parashikohej të jepej si hua me një normë interesi prej 5 për qind.

Ndërhyrja e SPAK bëri të mundur bllokimin e transaksionit dhe sekuestrimin e shumës monetare, e cila më herët ishte konfiskuar edhe me vendim gjyqësor. Hetimet zbuluan se një pjesë e veprimeve financiare ishte kryer, por operacioni i plotë i pastrimit të parave u ndërpre nga autoritetet shqiptare./K.C/dritare.net