
E plotë/ Rama: Dëmshpërblim për çdo shtëpi të djegur dhe bagëti të humbur nga zjarret!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama, në një komunikim live në Facebook me qytetarët, u ndal te situata e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit. Ai tha se qeveria, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, po kryen inventarizimin e plotë të dëmeve dhe siguroi se çdo familje që ka humbur shtëpinë apo bagëtinë do të përfitojë dëmshpërblim.
Më poshtë është fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama gjatë komunikimit live në Facebook:
"
Jam këtu për të ndarë me ju disa përshtypje dhe patjetër përpara përshtypjeve, disa të dhëna lidhur me 48-72 orët e fundit, të cilat ishin tejet vështira për shkak të zjarreve që patën një zhvillim më të madh se sa çdo herë tjetër më parë këtë moment.
Në radhë të parë, dua që t'ju shpreh ngushëllim kujt humbi të afërmin e vet dhe t'u shpreh të gjithë solidaritetin atyre familjeve që faktikisht kanë humbur shtëpinë nga zjarri. Tani që flasim, janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë 40 familje deri tani, të cilat faktikisht e kanë humbur shtëpinë plotësisht. Dua t'i siguroj të gjithë, qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht, qoftë familjet që kanë pësuar dëmtime në shtëpinë e tyre nga zjarri se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse, inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe pa diskutim, që siç ka ndodhur në të shkuarën, do të ndodhë përsëri.
Askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë, pa e pasur në krahë shtetin, për t'u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë ashtu sikundër dhe për të marrë dëmshpërblimet përkatëse, edhe për krerët e humbur. Deri tani numërohen 3619 krerë të humbur. Do të kompensohen një për një pa asnjë diskutim, ndërkohë që inventarizimi i tyre vazhdon.
Nga ana tjetër, dua edhe një herë t'ju shpreh mirënjohjen, t'ju shpreh respektin përulësisht të gjitha forcave të angazhuara në terren. Kanë qenë në total 10 249 forca të të gjitha llojeve që kanë pasur sipas protokollit të situatës, pjesën e vet të frontit, por në rradhë të parë dua të shpreh mirënjohje, respekt, falenderim për trupat zjarrfikëse të cilat meritojnë të gjithë admirimin dhe respektin me fjalë edhe mbështetjen ekstra financiare për ta, për zjarrfikësat dhe për forcat si ata, që ishin në krye të të gjithë kësaj rezistence kundër këtyre zjarreve të çmendur.
Po ashtu kemi pasur në territor 368 mjete zjarrfikëse të të gjitha strukturave vendore si edhe 635 mjete të tjera me kapacitete dhe me funksione të ndryshme.
Tani është bërë një diskutim, normal, ka diskutime gjithmonë, edhe jo më pastaj në situata të tilla. Është bërë një diskutim për forcat nga ajri, për avionët, i kemi s’i kemi, por ndërkohë dua që ta dinë të gjithë ata që nuk janë të informuar lidhur me këtë se në Evropë, BE, pjesë e të cilit ne jemi në këtë aspekt, ka një mekanizëm evropian të emergjencave civile. Mekanizmi evropian i emergjencave civile, nënkupton që të gjitha forcat ajrore në dispozicion, se po flasim këtu për forcat ajrore se ka dhe të tjerë elementë, të çdo shteti, vendosen në funksion të mekanizmit dhe mbase disave që informohen pjesërisht, ose që keqinformohen ose që dezinformohen, mund t’i duket çudi, por po lexoj këtu tani listën e saktë dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht nëse i referoheni mekanizmit evropian te emergjencave civile, se sa forca ajrore kemi pasur ne në dispozicion gjatë këtyre momenteve kaq të vështira dhe se si jemi përballur ne faktikisht me zjarret në këtë periudhë.
Përveç 5 njësive ajrore të forcave tona të armatosura, pra helikopterëve, kemi pasur; 1 avion Canadair nga Italia, 2 dy avionë Canadair nga Greqia dhe përfitoj nga rasti t'i bëj një falënderim të veçantë Kryeministrit Mitsotakis, ministrit të Mbrojtjes Dendias, miqve tanë grekë, ashtu si dhe miqve tanë italianë, sepse ishin dhe vetë dhe janë akoma në një situatë tejet të vështirë. Megjithatë mekanizmi evropian funksionoi dhe falë dëshirës dhe vullnetit të tyre në këtë rast; 1 Canadair nga Kroacia. Këta janë avionët, pastaj kemi pasur 2 helikopterë nga Hungaria, 1 helikopter nga Çekia, 1 helikopter nga Sllovakia, 2 avionë suedezë që kanë ardhur dhe kanë dhënë ndihmën e tyre dhe 2 helikopterë Black Haëk nga Emiratet e Bashkuara.
Tani, pa diskutim, që po të kishim vetë avionët tanë, do ishte akoma më mirë. Askush nuk e mohon këtë. Por kush i bën llogaritë pa hanxhinë, duhet t'i rikthehet pak llogarive për të kuptuar se avionët nuk janë një fjalë goje. Ka dhe diçka tjetër këtu, se disa pa mendje ose nga dëshira për ta besuar, kanë ngrënë edhe broçkullën e madhe që unë, qeveria, paskemi blerë avionë për vete. Nuk ka asnjë avion të blerë për vete dhe e përsëris, avioni i shumëpërfolur i përdorur nga unë vetëm për udhëtimet zyrtare, vetëm për udhëtimet zyrtare, sepse në çdo udhëtim tjetër privat, unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen në ekonomik. Gjithmonë! Këtë e dëshmojnë të gjitha biletat e deklaruara dhe që janë lehtësisht të verifikueshme. Pra avioni i përdorur për udhëtimet zyrtare nuk i ka kushtuar dhe nuk i kushton shtetit shqiptar më shumë sesa shumatorja e shpenzimeve mesatare të kryera çdo vit nga kryeministri i Shqipërisë, përfshirë këtu tek mesatarja dhe mender jush paraardhësin tim. Më falni për shprehjen, por nuk mundem ta them ndryshe.
Pa syze nuk të beson kush- thotë dikush këtu, po ç ‘rëndësi ka kjo. Vijmë tek një panoramë pak më e gjerë e kësaj situate. Më lejoni t'ju them se në gusht, vetëm në gusht, janë djegur 440 mijë hektarë në territorin e Evropës dhe pjesa dërrmuese e tyre në territorin e Europës Jugore, pra në aksin midis Spanjës dhe Turqisë, ku gjendemi edhe ne dhe bëhet fjalë për dyfishin e mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit. Dyfishi i mesatares së llogaritur 20 viteve të fundit. Këtë e them që, që të kuptohet një gjë. Ne mund të flasim shumë, ne mund të japim shumë mendime, dhe të gjitha janë legjitime. Disa mund të thonë jo, po duhen ca roje më shumë, disa mund të thonë, jo po duhen ca avionë më shumë, disa mund të thonë, jo po duhet kjo, duhet ajo, por po flasim për fuqira të mëdha. Spanja është një nga fuqitë më të mëdha të NATO-s, është një nga ekonomitë më të mëdha, është një nga shtetet më të fuqishme dhe është përballur me një situatë shumë të rëndë. Turqia ka 55 500 njerëz të evakuar në këto momente që flasim. 55 500 njerëz të evakuar dhe dihet shumë mirë se çfarë avionesh, çfarë dronësh, çfarë ushtarësh, çfarë rojesh e çfarë organizimi ka Turqia. Pra, duhet një reflektim i vockël fare, për të mos bërë menjëherë nxjerrjen e konkluzioneve si ata që i nxjerrin konkluzionet nga shkallët e stadiumit dhe që janë trajnerët më të mirë, sa pa u ulur aty në stolin ku rri trajneri dhe për të kuptuar që patjetër ka gjëra që duhen bërë më shumë, më mirë, patjetër ka gjëra që duhen përmirësuar, patjetër ka gjëra që duhen adresuar, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarrin. Ky është një fenomen që po shkon duke u bërë gjithmonë e më prezent dhe po ju them një të dhënë tjetër; në mes të korrikut, të dhënat e sistemit evropian të zjarreve në pyje, tregojnë se 230 mijë hektarë u dogjën, pra flasim këtu në mesin e korrikut brenda kufijve të Bashkimit Evropian, që do të thotë rreth 117 % e mesatares, pra mbi mesataren e 20 viteve të fundit, pra më shumë se dyfishi, më shumë se dyfishi. Dhe nuk mund të thuash që në ato vende nuk ka, nuk ka avionë.
Ja urdhëro, urdhëro se si i flitet kur thonë ‘’e ëma e Zeqos në majë të thanës’’. Në këtë rast quhet Kristi Leno.
Nuk ka lënë gjë xhaxhi Leli pa vjedhur me tenderat që janë bërë koncerte, bëni ndonjë gjë për Shqipërinë, se nuk keni plan emergjencë. E kupton? Kjo është mënyra të folurit si “e ëma e Zeqos në majë të një thane”, kush e di se ku në ç'pikë të botës, përderisa na të jepet porosi të bëjmë diçka për Shqipërinë. Mirëpo faktikisht e vërteta është krejt e ndryshme dhe realiteti është krejt i ndryshëm, krejt, krejt, krejt i ndryshëm.
Ashtu sikundër nga ana tjetër është edhe fakti se këtë herë kemi pasur në dispozicion forca ajrore më shumë se çdo herë tjetër, për shkak se kemi pasur nevojë më shumë se çdo herë tjetër dhe po t'ju marrë t'ju rendis shtetet një e nga një, të gjitha kanë situata me rritje të ndjeshme të zjarreve, të evakuimeve dhe të pasojave, të gjitha, pa përjashtim. Diçka duhet të na thotë kjo panoramë, kjo pasqyrë e përgjithshme, ndryshe nga çfarë flasin ata që krihen, “lehaqenet” që krihen përpara pasqyrës, kur digjen pyetje e Shqipërisë.
Për të kaluar përsëri tek disa reagime, në mënyrë që kjo bisedë të bëhet interaktive. Ja përsëri, domethënë, thotë një fjalë, “të gabosh është njerëzore, të insistosh është djallëzore”.
“Gatishmëri nga ajri nuk kishte, se nuk bëhet më ai vend”. Domethënë ça të them unë kur flasim për fakte dhe përballeni me opinionet që shiten si fakte, gjithsesi.
“O mbret”, thotë ky Niu Cami apo Çami, “po ato dëme që ka pësuar populli dhe unë fukarai, si do bëhet mo pasha? Ja na thuaj ndonjë llaf se na bëhet qejfi”. E thashë më parë dhe e përsërisë që për të gjithë shtëpitë që janë dëmtuar nga zjarri do të merren masat përkatëse. Ata që i kanë humbur plotësisht shtëpitë do të kenë shtëpi të reja dhe në këtë pikë në një farë mënyre, unë jam “shalqi me provë” dhe kështu do të jetë, ndërkohë që për ata që kanë pasur dëme të niveleve të ndryshme do të kompensohen dëmet.
“Bravo për të gjithë që janë në këto ditë të vështira, por nga ju zoti kryeministër nuk duam të thuash bravo, po duhet të japësh ndonjë bonus apo nuk ke më se ke blerë avion”? Jo, i dashur, unë nuk kam blerë asnjë avion dhe nuk kam paguar, dhe nuk kemi paguar asgjë më shumë se sa ç'është paguar mesatarisht, çdo vit nga zyra e kryeministrit për udhëtimet zyrtare për asnjë lloj avioni. Dakord? Pra, mirë është që t’i verifikoni “zjarret mediatike”, ku nganjëherë disa prej jush “hidhen me kokë” dhe fatkeqësisht, iu digjet qarku i arsyetimit.
“Kur filloi zjarri, ishte fshehur dhe nuk fole! Ministri thoshte: Kush është në rrezik, do t'i dërgojmë helikopterin, ia prishën shtëpitë, e dogjën jugun turistik”. Kjo është e vërtetë. Tani nuk e di se çfarë them më parë për këtë mesazh, po di të them që nuk jam fshehur asgjëkundi, secili ka qenë në krye të detyrës vetë dhe natyrisht unë kam bërë pjesën time të detyrës, duke qenë në kontakt dhe në koordinim me të gjithë.
“Zoti Edi Rama duhet ta kishte bërë ditë më parë, mos i lije të digjeshin, se tani nuk vlen, pse nuk kishim zjarr edhe në kohën e Enverit”? Po dhe është dikush që shkruan me një emër grek që nuk di se si lexohet, por pyet një atje në Greqi pse nuk kishte zjarre në kohën e Papandreut, për shembull. Pyet njëherë atje dhe ata që digjen çdo vit, shumë më shumë sesa ne, për shkak se janë në një pozicion edhe më të komplikuar se sa ne, mund të tregojnë pse nuk kishte zjarr në kohën e Enverit dhe nëse do të kishte një fuqi që t'i paraprinte zjarreve dhe mos linte zjarret që të bënin të tyren, me siguri këtë fuqi do e kishin gjetur të tjerët, të paktën. Do e kishte gjetur Turqia, do kishte gjetur Spanja, do e kishte gjetur Italia, do e kishte gjetur Greqia, E kështu me radhë, e kështu me radhë, pra të mos flasim qesim.
“Po e vërtetë thotë për të pastruar munden ngaqë vetëm këtë udhë ju ke lejuar”. Kam folur Afërdita për pastrimin e vatrave, pra për pastrimin e të gjitha vatrave të zjarrit, nuk kam folur për pastrim në kuptimin e pastrimit të zakonshëm dhe pastrimin e vatrave të zjarrit të gjithë gjatë gjithë natës në atë 10 kilometërsh në Sopot, e kanë bërë forcat komando, që ta dish në krye të të gjithë operacionit.
“Ik mor se nuk keni fytyrë me fol në këtë situatë, se nuk keni marrë asnjë masë”. Tani, çështjen e fytyrës, unë nuk po hy ta diskutojmë, por po them edhe njëherë, për cilat masa është fjala? Për cilat masa është fjala? Të gjithë kanë qenë në këmbë 10 mijë e kusur forca janë përpjekur dhe janë përleshur ditë-natë në të gjitha nivelet me flakët dhe e përsëris sikur të mos ishim në një kontekst më të gjerë dhe sikur të mos kishim të gjitha këto shtete në të njëjtin hall, atëherë mbase diku do të ishte një përgjegjësi më e madhe, por faktikisht kur dikush të dalë dhe të më thotë: pse këto shtetet e tjera shumë më të fuqishme, me shumë më tepër mjete, me shumë më tepër njerëz, nuk arrijnë dot që të parandalojnë zjarret dhe kanë zjarre, atëherë mund të hyjmë dhe diskutojmë ndryshe. Këtu nuk është fjala për të hequr asnjë lloj përgjegjësie! Ne i dimë edhe përparimet tona, ne i dimë edhe kufizimet tona, ne dimë edhe çfarë kemi bërë, dimë dhe çfarë duhet të bëjmë. Dimë edhe mundësitë që kemi rritur, dimë edhe çfarë nuk kemi ende mundësi të bëjmë, i dimë të gjitha këto pa diskutim dhe për këtë jemi këtu, por që të flitet nga kafja apo nga çadra e plazhit për faktin që pati zjarre dhe të ngrihen akuza, të bëhen përqeshje e të tjera e tjera, pse nuk u parandaluan zjarret, kjo është me të lënë pa tekst.
“Shtet pa emergjenca”. 10 mijë e disa qindra forca kanë qenë në krye të detyrës. 300 që t'i përsërisë, se ndoshta një pjesë nuk i ka kapur, se u ndërpre, 368 mjete zjarrfikëse kanë qenë në krye të detyrës, 635 mjete të tjera kanë qenë në krye të detyrës, 5 helikopterë të Forcave tona të Armatosura, 1 Canadair nga Italia, 2 Canadair nga Greqia, 1 Canadair nga Kroacia, 2 avionë suedezë, 1 helikopter nga Çekia, 2 helikopterë nga Hungaria, 1helikopter nga Sollakia dhe 2 helikopterë Black Haëk nga Emiratet e Bashkuara kanë qenë këtu dhe kanë dhënë kontributet e tyre në numrin e caktuar të kësaj beteje. Tani, çfarë domethënë kjo shtet pa emergjenca?
“Veç shtet nuk është, jeni të mbaruar”. Faleminderit shumë, po ti Gëzim, Shqipërisë ia merr të keqen, siç ia marrin të keqen gjithë ata që e përflasin në këtë farë feje, dakord?
“Në rregull, thotë Saimi, fatkeqësitë natyrore si uji apo tërmeti e të tjerë, s’di dhe pak ka metoda, mundësi njeriu t’i shohë e më së paku t’i kontrollojë apo t’i parandalojë, po zjarri nuk është një dukuri që s’mundemi ne të përballemi me të. Në fund me shumë keqardhje, dhembje e shpirt thyer, uroj dhe besoj që të mblidhen mend dhe të bëjmë punët tona dhe se i kemi kapacitetet dhe mundësitë”.
Se thotë, çfarë prisni, të vijë hasmi t’iu shpëtojë?! Po pse nuk më thua dot si ka mundësi që këto shtetet e tjera, të mëdha, të fuqishme e të tjera, kanë të njëjtin hall dhe përgjigjja është shumë e thjeshtë, aq sa është dhe komplekse natyrisht.
“U fik se mbaroi, thotë ky tjetri. S’kishte më vend për tu djegur”. Ky është cinizmi ekstrem i dikujt që flet shtrirë.
“Sipas jush, Greqia, Spanja apo Italia koti paskan marrë avionët, meqë nuk na hyn në punë”. Unë nuk thashë që avionët nuk na hyn në punë. Nuk thashë as që i kanë marrë kot, nuk thashë as që nuk do ishte mirë që të kishim dhe ne avionë, siç i kanë edhe ata, unë thashë që pavarësisht se i kanë, 77 ka Greqia, bilanci i flakëve është më i madh negativ sesa i vitit të kaluar, për Greqinë, për Bashkimin Europian, për Turqinë, për ne dhe për të gjithë të tjerët, ky është fakti. Ky nuk është një opinion. Është më shumë sesa gjysmë, sesa dyfishi i mesatares së zjarreve dhe të sipërfaqeve të djegura të 20 viteve të fundit, kjo është në pasqyrën e statistikave të sistemit europian të informimit për zjarret. Mund të hyni dhe mund ta gjeni.
Patjetër që ligji duhet të jetë. Ligji është i fortë që tani për ata që vënë zjarret, patjetër. Gjykatësit dihet që nuk janë të gjithë në krye të detyrës, por ne do të shohim edhe në këtë drejtim se çfarë do të bëjmë. Një gjë është pak po e sigurt, tamam. Geg Gega e ka thënë shumë mirë këtu, dhe unë po e mbyll këtu: “Qentë le të lehin, karvani do të shkojë përpara”. Shumë faleminderit!"-tha Rama/ E.P-dritare.net

















