
Delegacioni i OSBE-ODIHR në SPAK: Prokurorët e SPAK do të ndjekin nga afër zgjedhjet!
Dritare.net
Delegacioni i OSBE-ODIHR, që do të monitorojë zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ka zhvilluar paraditen e së mërkurës një vizitë në SPAK, që ka zgjatur për rreth 30 minuta. Prezenca e OSBE në Tiranë ka zbardhur takimin, ku bën me dije se ka dhuruar sete pajisjesh kompjuterike për të forcuar kapacitetet e Task-Forcës së re të Prokurorisë së Posaçme për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Pajisjet – 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë – do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë. Grupet në terren do të mbulojnë të 12 qarqet e Shqipërisë dhe do të përbëhen nga prokurorët e SPAK-ut, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), agjentë financiarë dhe personel mbështetës.
Ato do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me keqpërdorimin e administratës publike dhe të infrastrukturës shtetërore, si edhe me përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje”, njofton prezenca e OSBE.
“Zgjedhjet janë në themel të shtetit demokratik. Ne i shprehim mirënjohjen tonë OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme. Këto pajisje do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore”, tha kreu i SPAK Altin Dumani./L.F-dritare.net

















