
Avokati që mbron presidentin Trump viziton Veliajn: Mbajtja e një politikani në paraburgim pa akuza të qarta, në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor
Dritare.net
Ekipi i avokatëve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar sot një vizitë në ambientet e paraburgimit në Durrës, një ditë përpara seancës së apelit për shqyrtimin e kërkesës së tij për lirim me kusht. Në këtë takim, atyre iu bashkua edhe Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane Kasowitz Benson Torres LLP, e cila po këshillon Kryetarin Veliaj.
Në një deklaratë për mediat pas vizitës, Roberts bëri të ditur se ndodhet në Shqipëri si vëzhgues dhe theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore ndërkombëtare.
“Në Shtetet e Bashkuara, sipas Kushtetutës dhe legjislacionit amerikan, akuzat penale ngrihen vetëm kur ekziston një shkak i arsyeshëm që një vepër penale është kryer. Gjithashtu, ndalimi i qytetarëve para gjykimit ndodh vetëm nëse ata paraqesin rrezik arratisjeje ose rrezik për shoqërinë,” deklaroi Roberts.
Ai shtoi se “mbajtja e një politikani në paraburgim pa akuza të qarta dhe pa një rrezik të justifikuar është në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë”. “Nesër do të ndjek nga afër argumentet e apelit për çështjen e Kryetarit Veliaj,” tha ai.
Studio Kasowitz ka shërbyer si përfaqësues i Presidentit Trump "për një gamë të gjerë çështjesh gjyqësore për më shumë se 15 vjet", si në bizneset e tij ashtu edhe gjatë fushatës presidenciale./dritare.net

















