
Veliaj nga qelia: Persekutimi i familjes nuk mund të jetë etaloni i Reformës në Drejtësi
Dritare.net
Nesër në Apel do të zhvillohet seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për ankimin e masës arrest me burg. Nga qelia, në një reagim të radhës thotë se nesër do të rikthehet për të mbrojtur veten.
"Përshëndetje miq. Pas një muaji izolim, nesër do të rikthehem për të mbrojtur veten, familjen, por edhe çdo shqiptar, që beson se:
Letrat anonime janë pjesa më e shëmtuar e regjimit që lamë pas e s’kanë vend në Shqipërinë moderne.
Shpallja “i dënuar” pa gjyq që në nisje, ndodhte në ditët më të errëta të ferrit komunist, por jo në një demokraci europiane. Hetimi i biografisë personale apo vetting-u i paligjshëm, si ky imi për 20 vjet, ndodhte vetëm në kohën e Sali Enverit, por jo sot në shek. XXI.
Kërkesa për pendesë ende pa akuzë, ngjan me gjyqet popullore histerike në vitet ‘60, por jo në 2025.
Persekutimi i familjes nga një noter nga babi, me 5-a, pa meritë e pa ligj, ndërtues në konflikt interesi, nuk mund të jetë etaloni i Reformës në Drejtësi. Lënia e kryeqytetit pa drejtim nga i votuari i njerëzve me një të rënë të lapsit është, në mos grusht shteti, grusht ndaj qytetit, punëve të tij dhe votuesve të Tiranës.
Shteti me “Uacap” në ditë pushimi, nga militantë të zellshëm të Saliut, sot hetues të Olsit, është fyerje ndaj reformës ku besuam të gjithë. Trajtimi i sipërmarresve si “kulakë” dhe përgjimi i njerëzve të biznesit pa fakte, i përket Shqipërisë së pas luftës, jo të demokracisë. Presioni ndaj dëshmitarëve, duke iu kujtuar burgun, prindërit e fëmijët, u përket xhelatëve të një regjimi, jo demokracisë.
Prezumimi i pafajësisë është detyrim për standard Europian, dhe jo histeri kolektive e banaqeve, portaleve dhe kundërshtarëve që me votë i mundëm 7 herë në Tiranë, e veç me dhunë mund të na heqin nga fushata. Më shumë do të them nesër në seancë!
Shpresoj të jeni mirë! Kush po agjëron, e pastë sa më të lehtë, e kush më ka menduar e më ka mbajtur në lutje, Zoti ju bekoftë!", shkruan Veliaj në rrjetet sociale./L.F-dritare.net

















