Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Grabitën 1 milionë euro në 49 shtëpi VIP-ash në Francë e Belgjikë! 5 të arrestuar

Grabitën 1 milionë euro në 49 shtëpi VIP-ash në

Këngëtarë, futbollistë apo pilotë të Formula 1… 5 anëtarë të dyshuar të një rrjeti kriminal shqiptar janë arrestuar për 49 grabitje në rezidenca luksoze dhe në shtëpitë e personazheve publike. Bëhet fjalë për anëtarët e grupit të Edison Pulës, shqiptarit i njohur si mjeshtri i arratisjeve.

Bizhuteri, orë me vlerë të lartë, çanta e sende të tjera luksoze... Shuma totale e sendeve të vjedhura kap vlerën e mbi një milion eurosh, të marra gjatë grabitjeve.

"Gjashtë persona të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal shqiptar, përfshirë edhe drejtuesin e tij, janë marrë në hetim për rreth 50 grabitje në banesa të luksit dhe të personazheve të njohur në Francë dhe Belgjikë", njoftoi këtë të diel, më 9 mars, xhandarmëria franceze.

Arrestimet janë kryer në dy faza: dy prej anëtarëve të dyshuar të rrjetit, të njohur me emrin "Nikla", u arrestuan më 20 janar në Luksemburg, në kuadër të urdhër-arresteve evropiane të lëshuara nga Gjykata e Reims-it, sipas njoftimit zyrtar. Pesë persona të tjerë u ndaluan të martën në zonën e Reims-it, ndërsa katër prej tyre u morën në hetim të premten.

Personazhe publike dhe biznesmenë në shënjestër

Grabitësit kishin në shënjestër personazhe të famshme dhe sipërmarrës kryesisht në rajonin e Parisit dhe përreth Reims-it. Ndër viktimat kishte këngëtarë, futbollistë dhe pilotë të Formula 1. Sendet e vjedhura më pas shiteshin kryesisht në Shqipëri.

Personi kryesor i dyshuar si drejtues i këtij rrjeti, Edison Pula, rreth të tridhjetave, ishte në kërkim nga Interpoli që prej janarit të kaluar. Ai njihet edhe për disa arratisje nga drejtësia, e fundit në qershor të vitit 2022, thekson gjenerali Marc de Tarlé, drejtues i Zyrës Qendrore kundër Kriminalitetit.

Ai u identifikua falë gjurmëve të ADN-së të gjetura në më shumë se 30 grabitje të kryera midis qershorit 2022 dhe shtatorit 2024. Dyshohet gjithashtu edhe për një tentativë vrasjeje në Shqipëri, dhe është arrestuar më 20 janar.

Grupi kriminal përdorte rrjetet sociale për të gjetur adresat e viktimave të tyre. Sipas xhandarmërisë, rrjeti "Nikla" është përgjegjës për gjithsej 49 grabitje. Hetimet janë zhvilluar nga Zyra Qendrore për Luftën kundër Kriminalitetit Itinerant, në bashkëpunim me Seksionin e Kërkimeve dhe Brigadën e Kërkimeve të Reims-it, si dhe Brigadën për Luftën kundër Banditizmit të Policisë Kriminale të Parisit./dritare.net