
Aksidenti me Jet Ski në Durrës, flet e mbijetuara: Jeleku i shpëtimit s’na mbajti mbi ujë
Dritare.net
Një aksident tragjik me Jet Ski ka ndodhur paraditen e së dielës në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës, ku humbi jetën 34-vjeçari Sylvester Obeng, turist nga Anglia me origjinë ganeze. Ai kishte dalë në det për të lundruar me një Jet Ski të marrë me qira, bashkë me partneren e tij, Vera Baume. Çifti nuk ishte i pajisur me certifikatë drejtimi për mjetin ujor, dhe sipas dëshmisë së vetë të mbijetuarës, nuk dinin as not.
Në një deklaratë për mediat, Vera Baume ka treguar momentet e frikshme që paraprinë humbjen tragjike të partnerit të saj. Ajo shpjegoi se pasi kishin marrë me qira Jet Ski-n dhe ishin pajisur me jelekë shpëtimi, kishin hyrë në det me kujdes, pasi nuk ishin përdorues të kualifikuar.
“Në orën 10:00 të së dielës, shkuam me disa shokë për të marrë motora uji. Personi që ishte aty na mësoi si t’i drejtonim. I dhamë lekët, morëm motorin dhe hymë në ujë. Përpara, na veshi me jelekë; më pas, hymë në ujë avash-avash, pasi nuk jemi specialistë,” tregoi Vera.
Sipas saj, pas një distance të caktuar nga bregu, Sylvester-i ka shtuar shpejtësinë dhe ka kthyer mjetin në mënyrë të menjëhershme, çka solli humbjen e ekuilibrit dhe rrëzimin e të dyve në det.
“Nuk dinim not dhe po përpiqeshim të mbijetonim. Jeleku i shpëtimit nuk na mbajti siç duhet. Duke u përpjekur të qëndroja në ujë, e humba nga sytë Sylvester-in. Nuk e pashë më çfarë ndodhi me të,” tha ajo, me zërin e dridhur.
Trupi i pajetë i 34-vjeçarit u nxor më vonë nga uji, ndërsa ngjarja ka rikthyer vëmendjen mbi sigurinë e shërbimeve të qirasë së mjeteve ujore në bregdetin shqiptar. Autoritetet po hetojnë mbi rrethanat e aksidentit dhe mbi përgjegjësinë e subjektit që dha me qira Jet Ski-n, pa u siguruar që përdoruesit kishin njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për lundrim të sigurt./K.C/dritare.net

















