
Zyrtare nga UEFA: Ky është arbitri italian që do të gjykojë ndeshjen Shqipëri–Serbi!
Dritare.net
Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 dhe UEFA ka bërë tashmë publike emrat e zyrtarëve të ndeshjes.
Takimi do të gjykohet nga italiani Davide Massa, një emër i njohur në arenën ndërkombëtare. Massa ka vetëm një precedent me Kombëtaren kuqezi: një miqësore ndaj Gjeorgjisë më 16 nëntor 2015 në “Qemal Stafa”, që përfundoi në barazim 2–2.
Në krah të tij do të jenë asistentët Filippo Meli dhe Ciro Carbone, ndërsa Fabio Maresca do të jetë arbitër i katërt. Në dhomën e VAR-it janë caktuar Aleandro Di Paolo dhe Daniele Doveri.
Kjo ndeshje është e treta për Shqipërinë në këtë fushatë, pas humbjes kundër Anglisë dhe fitores ndaj Andorrës. Ndërkohë, për Serbinë kjo do të jetë ndeshja e parë në grup./K.C/dritare.net

















