
Aeroporti i Vlorës, Ermal Dredha: Të bëhemi gati për një epokë tjetër turizmi!
Dritare.net
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VLO), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, u realizua sot fluturimi i parë certifikues. Kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha e cilësoi një zhvillim të jashtëzakonshëm për gjithë jugun, ndërsa shtoi se tani duhet të bëhemi gati për një epokë tjetër turizmi!
"Fluturimi i parë çertifikues në aeroportin e Vlorës është një ngjarje që, ca vite më parë, as mund ta përfytyronte e as mund ta besonte njeri. Ende sot, nuk e dimë ndikimin e jashtëzakonshëm që ka për të pasur në zhvillimin e qytetit ky premtim i mbajtur i kryeministrit Edi Rama, për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë!
Të gjithë bashkë, duhet të bëhemi gati për një epokë tjetër turizmi!", shkruan kryebashkiaku.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VLO) do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë.
Ky aeroport pritet të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë Jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.
Me veprimtarinë e Aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë./L.F-dritare.net

















