A besojnë tek SPAK dhe drejtësia e re? Ja si përgjigjen qytetarët!
Dritare.net

Zhvillimet e fundit politike dhe veprimet e SPAK kanë ndezur debate të forta në opinionin publik. Qytetarët flasin për Dritare TV teksa shprehin qëndrime të ndryshme lidhur me rastin e Belinda Ballukut.
Shumë qytetarë e vlerësojnë për punën e saj, duke përmendur projekte madhore si tuneli i Llogarasë.
"Më vjen keq se ka punuar. Ajo dhe Erion Veliaj kanë punuar më tepër se të gjithë," shprehet një qytetar.
Megjithatë, ky vlerësim shoqërohet me një qëndrim të prerë: nëse ka shkelur ligjin, duhet të përballet me drejtësinë.
"Në qoftë se e ka bërë këtë punë, le të dënohet. Drejtësia e di", shton qytetari, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht kontributit.
Ndërsa disa shprehin një besim parimor tek SPAK, të tjerë janë skeptikë ose kërkojnë më shumë.
Një qytetar kërkon që SPAK të mos kufizohet vetëm tek rastet aktuale, por të hetojë ngjarjet më të rënda të tranzicionit shqiptar.
"SPAK-u, po të jetë puna, duhet ta fillonte që në '92-shin, që nga piramidat," thotë një tjetër, duke shtuar në listë tragjedinë e Gërdecit, të cilën e quan "lapidari i korrupsionit", dhe vrasjet e 21 Janarit 2011 në bulevard.
Qytetarët shprehen se përgjegjësia duhet kërkuar tek pesë figurat më të larta të shtetit në atë kohë: presidenti, kryeministri, ministri i Brendshëm, drejtori i Policisë dhe komandanti i Gardës.
"Një nga këta ka dhënë urdhrin. Të kapin këto pesë dhe menjëherë del kush e ka bërë," argumenton një qytetar, duke kërkuar llogaridhënie për katër jetët e humbura./dritare.net
