Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dosja e GJKKO për Ballukun: Rrezikon të prishë provat dhe largohet!

Dosja e GJKKO për Ballukun: Rrezikon të prishë provat dhe

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke argumentuar se ekziston rreziku që ajo të ndikojë në prishjen e provave dhe të përsërisë veprën penale për të cilën është marrë e pandehur.

Sipas vendimit të gjykatës, për shkak të funksioneve të larta shtetërore që ushtron Balluku, ekziston rrezik real që ajo, së bashku me dy vartësit e saj, të ndërhyjnë në dokumentacionin e institucioneve përkatëse dhe të vështirësojnë hetimet e SPAK.

Gjykata ka vendosur gjithashtu ndalimin e daljes jashtë shtetit për Ballukun, duke i sekuestruar pasaportën. Në arsyetimin e saj, GJKKO thekson:

"Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy herë dhe në bashkëpunim."

Balluku është marrë e pandehur në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro dhe tenderin 21 milionë euro për ndërtimin e lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas SPAK, dyshohet se ajo ka paracaktuar fituesit e tenderëve përmes ndërhyrjeve gjatë procesit të garës.

Ndërkohë, GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për Kreun e ARRSH-së, Gentian Gjylin, dhe drejtorin e KESH, Erald Elezin. Po ashtu, janë miratuar 28 urdhra për kontrolle në banesa, dokumente, pajisje elektronike dhe telefona celularë.

Seanca për masat e sigurisë ndaj Ballukut dhe dy vartësve të saj pritet të zhvillohet në orën 09:00./L.F-dritare.net