
Shqipëria dhe Kosova kanë mësuar fatin e tyre në shortin e fazës “play off”, ndërsa synohet Botërori 2026. Shorti nuk u tregua bujar me kuqezinjtë që do të përballen fillimisht me Poloninë, që ishte rivali i pozicionuar më mirë në vazon e dytë. Në anën tjetër Kosova do përballet me Sllovakinë, e cila pozicionohej e fundit në renditjen e FIFA-s ndër ekipet e tjera të mundshme.
Përfaqësuesja e Silvinjos ishte pafat në short, pasi nëse kalon Poloninë në transfertën e gjysmëfinale, sërish do të luajë në transfertë. Kështu për në finale është rezervuar fituesi i Ukrainë – Suedi.
Kosova ndërkohë do të luajë me fituesin e Turqi – Rumani, nëse fiton ndaj Sllovakisë. “Dardanët” janë me fat për faktin se do e luanin finalen e madhe në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Italia ndërkohë duhet të bëjë fillimisht detyrën ndaj Irlandës së Veriut. Më pas në shtëpi, do të luanin përballë fituesit të çiftit Uells – Bosnjë.
Sfida gjysmëfinale është rezervuar më 26 mars. Në anën tjetër, finalet kanë datën 31 mars.
Ja I gjithë shorti.
Itali – Irlanda e Veriut / Uells – Bosnjë (Finalja i përket fituesit të çiftit të parë për ta luajtur në shtëpi)
Ukrainë – Suedi / Polonia – Shqipëri (Finalja i përket fituesit të çiftit të parë në shtëpi, Shqipëria e humbet mundësinë)
Turqi – Rumani / Sllovaki – Kosovë (Finalja i përket fituesit të çiftit të dytë, Kosova ka mundësinë që ta presë nëse kalon Sllovakinë)
Danimarkë – Maqedoni e Veriut / Çeki – Irlandë (Finalja i përket fituesit të çiftit të dytë)