
33 milionë euro në hije. Tatimet godasin influencerët që fshehën të ardhurat!
Dritare.net
Pas aksioneve ndaj pronarëve të automjeteve luksoze, Administrata Tatimore ka zhvendosur vëmendjen në botën digjitale. Prej disa javësh, është duke u zhvilluar një hetim i thelluar ndaj 100 individëve dhe subjekteve të identifikuar si influencerë dhe krijues përmbajtjeje në rrjete sociale si TikTok, YouTube, Facebook dhe Instagram, të cilët dyshohet se kanë përfituar rreth 33 milionë euro të ardhura gjatë vitit të kaluar, pa i deklaruar në shtet.
Kush janë në fokus?
Burime nga brenda administratës bëjnë me dije se hetimet janë përqendruar në individë që kanë kaluar pragun prej 1.2 milion lekësh në vit të ardhura nga aktivitetet digjitale, por nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për të dorëzuar formularin DIVA, dokumenti që reflekton të ardhurat nga aktivitete të vetëpunësimit ose të pavarura. Mospërmbushja e këtij detyrimi ka sjellë automatikisht hapjen e hetimeve tatimore të thelluara.
Kontrollet dhe hetimet
Hetimet përfshijnë kontrolle financiare të detajuara, inspektime në terren, si dhe shkëmbim informacioni me institucione të tjera shtetërore, përfshirë bankat dhe shërbimet postare. Administrata po përdor gjithashtu të dhënat e mbledhura nga platformat digjitale dhe gjurmimet bankare për të verifikuar se sa është përfituar nga secili individ apo subjekt nëpërmjet bashkëpunimeve me kompani, reklama të sponsorizuara, pagesa direkte nga platformat dhe dhurata online (donacione).
Ligji i qartë për aktivitetet online
Sipas ligjit shqiptar në fuqi, çdo e ardhur që rrjedh nga aktiviteti ekonomik, përfshirë edhe ato në mjedisin digjital, është subjekt i tatimit. Kjo përfshin pagesat nga YouTube për shikime, TikTok për përmbajtje të monetizuar, reklamat e sponsorizuara nga kompani vendase apo të huaja, si dhe çdo formë tjetër përfitimi që rezulton nga veprimtaria e tyre online. Administrata Tatimore thekson se këto të ardhura janë të gjurmueshme, dhe çdo përpjekje për t’i shmangur është e ndëshkueshme me ligj.
Paralajmërime për transparencë
Burime brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë bërë të ditur se kjo është vetëm faza e parë e operacionit, i cili do të zgjerohet në muajt në vijim. Në fokus pritet të jenë gjithashtu agjencitë që menaxhojnë kontratat e influencerëve, kompanitë që shpërndajnë pagesat dhe çdo subjekt që ndërmjetëson në këtë treg, me qëllim formalizimin dhe transparencën e aktivitetit ekonomik digjital.
Administrata u bën thirrje të gjithë individëve që zhvillojnë aktivitet në rrjetet sociale dhe përfitojnë të ardhura, që të vetëdeklarojnë të ardhurat përmes formularit DIVA dhe të jenë në përputhje me legjislacionin fiskal, për të shmangur gjoba, penalitete dhe hetime të mëtejshme.
Në një kohë kur aktivitetet ekonomike po zhvendosen gjithnjë e më shumë në botën virtuale, ky operacion i Tatimeve sinjalizon një epokë të re monitorimi dhe formalizimi të të ardhurave digjitale në Shqipëri./K.C/dritare.net

















