
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë pamje nga ecuria e punimeve, për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike.
Muzeu do t’i kushtohet historisë së komunitetit hebre në Shqipëri dhe marrëdhënies së bashkëjetesës mes komunitetit hebre dhe popullit shqiptar. Projekti synon të krijojë një hapësirë të re kulturore dhe edukative, duke pasuruar ofertën muzeore të vendit dhe duke e bërë historinë e kësaj bashkëjetese më të aksesueshme për brezat e rinj.
Në kuadër të ndërhyrjes në Qendrën Historike të Vlorës, po planifikohet gjithashtu rehabilitimi i Muzeut Etnografik të Vlorës. Objekti, me vlera të rëndësishme historike, kërkon ndërhyrje restauruese dhe një koncept të ri muzeal, në përputhje me standardet bashkëkohore.
Dy projektet synojnë të forcojnë rolin e Vlorës si një qendër e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe historike, duke sjellë hapësira të reja për edukimin, kujtesën dhe zhvillimin e turizmit kulturor./l.F-dritare.net