Ministrja e Financave: E nisa si gazetare

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka folur për herë të parë si ministre për emisionin Dritare me Rudinën në News 24. Në një intervistë nga gazetarja, Rudina Xhunga, Denaj ka rrëfyer se ka punuar fillimisht si gazetare e ekonomisë te “Koha Jonë”. Ministrja është shprehur gjithashtu se, la profesionin e gazetares për të punuar si analiste kredie në një bankë të nivelit të dytë në Durrës.

Rudina Xhunga: Anila Denaj, gazetare e ekonomisë te Koha Jonë në -95  ikën jashtë dhe i lë të gjitha për një trajnim. Çfarë ishte për ty ajo kohë?

Anila Denaj: ’95, lashë dhe një bursë studimi në Amerikë, kjo ishte dhe më e guximshme, se në atë kohë kush do të linte një bursë studimi, për t’u bërë gazetare. Por unë nuk desha të bëhesha gazetare  edhe puna ime në gazetari, ishte shumë e bukur dhe mbi të gjitha rezultoi e vlefshme, për kurajën që më dha për të përballuar, shumë sfida të tjera më mbrapa dhe jam mirënjohëse për atë mundësi që m’u dha atëherë  edhe pse një viti.  Por meqenëse ishte përgjatë vitit  të fundit të fakultetit dhe unë kisha studiuar për katër vjet financë-bankë dhe unë desha të isha në bankë, e kisha shumë të qartë, që ky ishte drejtimi. Edhe pse kur kam ikur nga gazeta ‘Koha Jonë’, dhe me mundësinë e një burse për t’u bërë gazetare isha e bindur që kjo nuk ishte rruga ime, dhe duhet të gjeja rrugën time me gjithë kostot që duhet të kisha duke kërkuar punë. Dhe fati solli që unë të nisja punë si analiste kredie te FEFAD, ProCredit i sotëm. Na nisën menjëherë me trajnim gjuhe dhe pastaj trajnim për financa, dhe kreditimin në një sektor të caktuar siç ishte mikrokredia. Dhe po, ishte më logjike ajo, sesa studimi në Amerikë për t’u bërë gazetare.

Unë bëra edhe një hap tjetër. Në ’97-ën, hapet dega e parë e FEFAD-it, në Durrës dhe në dhjetor të ’97-ës, që nuk është një vit për të marrë iniciativa të tilla ku largësia edhe nga familja kishte rreziqe sociale, unë e marr këtë rrezik përsipër, me mbështetjen e familjes sime, që ka qenë gjithmonë aty. Iki në Durrës, jetoj aty dy vjet, dhe drejtoj degën e bankës, dhe kjo ka qenë eksperienca e parë me drejtimin, me të punuarit si drejtuese, që nuk ishe vetëm përgjegjëse për portofolin tënd,  të kredisë, klientëve e tu, por ishte edhe  për të gjithë rezultatet e një njësie. Në një kontekst edhe më të rëndësishëm, banka ka edhe elemente të tjerë, të sigurisë. Ne trajnoheshim shumë dhe Procrediti ka qenë një nga institucionet që na trajnonte më shumë sesa çdo institucion tjetër dhe nuk e bënim këtë duke mësuar, e bënim sepse trajnoheshim mirë. Por në ato dy vjet në Durrës, markova hapin tim të parë si drejtuese, edhe duke jetuar në Durrës, sepse në atë kohë nuk ishte kjo lehtësi transporti. Jetova në një shtëpi me qira, kështu që më krijoi  edhe një hapësirë tjetër nga ana sociale, për të përballuar edhe disa vështirësi që i ndjeva më vonë, kur fillova rrugën si konsulente internacionale, dhe mbi të gjitha vetminë, sepse të jesh drejtuese është shumë bukur. Nuk harroj drejtuesi im i parë gjerman ka thënë një shprehje, kur unë mora hapin për t’u bërë drejtoreshe: “Je e sigurt që do të hysh në këtë rrugë, sepse sa më lart të shkosh aq më vetëm do të jesh.”  Kur ballafaqohesh me distancën fizike nga njerëzit e afër, duke filluar nga Durrësi në atë kohë dhe rrugëtimi që bëra në botë, janë të dyja, je lart në pozitë, po ke, shumë vështirësi të tjera dhe njeriu duhet t’i faktorizojë të gjitha.

Rudina Xhunga: Kështu që je mësuar tani?

Anila Denaj: Asnjë punë nuk i ngjan tjetrës, dhe asnjë përgjegjësi tjetrës. Kështu që nuk mund të thotë asnjëri se je mësuar. Kuptohet që krijon një farë eksperience, di se nga fillohet si, ndërtohet. Unë jam ballafaquar me shumë pozicione drejtimi në disa vende të ndryshme. Dhe kam parë që nganjëherë nuk të mjafton të dish vetëm nga ana teknike, por të duhet edhe të akomodohesh në shumë aspekte të tjera, lokale.

Të qenit në Shqipëri, si drejtuese, mbas kësaj eksperience internacionale, më tregoi se, në vendin tënd, duke folur gjënë tënde, duke njohur mentalitetin e vendit tënd, është më e lehtë./K.C/dritare.net

LEXO DHE :  Java e fundit e pushimeve, 30 mijë shqiptarë të Kosovës hynë në Shqipëri për 24 orë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.