Na ndiqni edhe në

Shkrimet e Dritanit

Meta ia doli!

Meta ia doli!

Nga Dritan Hila

A ka mundësi Ilir Meta të shpërndajë kuvendin dhe kalojë vendin në zgjedhje të parakohshme?

Shumica e juristëve e mohojnë në mënyrë kategorike. Këtë mund ta bëjë vetëm Edi Rama me mocion mosbesimi ndaj vetes, ose opozita nëse do kishte 62 vota. Mirëpo as Rama dhe as Rudina Hajdari duket se nuk e kanë ndërmend.

A mundet Meta të mbledhë një miting që të përmbysë rendin ekzistues?

Që të kesh 200 veta sa për të bërë grusht shteti, gjenden dhe nuk është se nuk realizohet. Vetëm se puna është që nuk të njohin ndërkombëtarët. Viti 1998 është një leksion i provuar.

Të mbledhësh një miting dhe bllokosh qeverinë deri në rrëzimin e saj nën shembullin e Ukrainës dikur, viti i shkuar tregoi se nuk ka gjasa. Por edhe në këtë rast nuk të njohin ndërkombëtarët.

Atëherë përse e bën Ilir Meta këtë lëvizje?

Për të trembur Edi Ramën, është pak e vështirë, jo se ai nuk trembet, por ikën bashkë me vulat e qeverisë në Vuno dhe aty do presë derisa ndërkombëtarët të ndërhyjnë. Dhe nuk do vonojnë ta bëjnë. Viti që shkoi, ishte një katastrofë politike për opozitën, pasi edhe kush dyshonte se Berisha apo Meta mund të destabilizonin vendin, tani e hoqi çdo dyshim.

Nëse qëllimi i Metës ka qenë që të sfumojë ndihmat që Rama mori në Bruksel, atëherë ia ka dalë. Por këtë mund ta bënte edhe pa kosto politike. Mjaft të dilte lakuriq në bregun e Gjirit të Lalëzit, dhe suksesin mediatik do ta kishte të garantuar, sikurse kryearmiku i tij dikur./dritare.net