
Mbyllet panairi/ “Gorillat që s’i pamë” i Surroit, libri më i shitur
Dritare.net

“Gorillat që s’i pamë” e vë Surroin të parin në top pesëshen e librave më të shitur gjatë gjashtë ditëve, sa ka zgjatur Panairi. Ky është viti i pestë me radhë që Surroi është autori më i kërkuar, e veprat e të cilit janë më të shiturat në Panairin e librit në kryeqytet, shkruan “Koha Ditore”.
Në një konferencë për media, të dielën, në ditën përmbyllëse të Panairit, që u mbajt prej datës 6 deri më 11 qershor, përfaqësues të Shoqatës së Botuesve të Kosovës kanë prezantuar listën me top pesë librat më të shitur. E dyta në listë është radhitur “Na dy” e Flutur Mustafës, më pastaj “Veprat” e Arbën Xhaferit, “Dritëhijet e një diplomati, Faik Konica” të Agron Alibalit dhe “Pa heronj, pa bujë” të Ndriçim Ademajt.
Në bazë të të dhënave që janë shpalosur, në pesëshen e shkrimtarëve më të kërkuar joshqiptarë kanë qenë “Unë jam Malala” e Malala Yousafzai, “Mbiemri i ri” i Elena Ferrante, “Lufta nuk ka fytyrë gruaje”, e Svetlana Aleksieviq, më pas “Sapiens, një histori e shkurtër e njerëzimit” e Yuval Harari dhe “Harta dhe territori” nga Michel Holluebecq.

















