
Luiza Gega: Të pretendosh medalje ari për Shqipërinë është shkallim elektoral
Dritare.net

Si ishte për Luizën pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, u zhgënjyet nga rezultati juaj?
Jo, s’jam zhgënjyer aspak, unë e tregova veten në Kampionatin Europian, por do të kem gara të tjera plot.
Mendoni se u zhgënjyen shqiptarët, kishin më shumë pritshmëri ndaj teje?
Disa besoj që po, janë zhgënjyer, por ka edhe nga ata që e kuptojnë sportin dhe që nuk janë zhgënjyer, përkundrazi.
Keni dëgjuar komente negative pas Rios, komplet ndryshe nga ato që morët kur fituat titulli nënkampione e Evropës?
Jo, nuk kam pasur komente negative, ndoshta tek-tuk nëpër portale nga njerëz që nuk dinë ç’është sporti, por kam pasur mbështetje të madhe, se unë nuk dola sot, kam vite që jam.
Të shumtë kanë qenë ata që janë shprehur se problemi juaj shëndetësor ka qenë i sajuar pasi e dinit që nuk do të kishit rezultate të mira; si u përgjigjeni këtyre akuzave?
Vërtet ka dhe nga ata që thonë “sajim”. Dua t’u them vetëm këtë: Të bëjnë sport vetë, e meqë iu dhimbset Shqipëria, të mundohen ta nderojnë e jo të merren me llafe! Kisha kohë që e kisha deklaruar që kam dëmtim, që pas kthimit nga Kampionati Evropian. Futuni shihni intervistat e mia e të trajnerit dhe do ta kuptoni se çfarë quhet sajesë dhe e vërtetë.
Pasi e patë nga afër Olimpiadën, si mendoni, sa shanse kanë shqiptarët që të marrin medalje ari në të tilla kompeticione?
Medalje ari? Më parë publiku dhe mediat duhet të marrin informacion shumë më të gjerë mbi atletikën. Më pas të përpiqen të informojnë njerëzit mbi këtë sport, konkurrencën, vështirësinë në stërvitje, pasi nuk të duhet një dhomë, një pedane apo një tapet, të duhet stadium i hapur, i mbyllur, të duhen terrene në natyrë etj. Më pas jam e sigurt që vlerësimi për ne që bëjmë këtë sport do të jetë shumë më i madh. Të thuash medalje ari në një sport ku marrin pjesë 212 shtete, ku nga çdo aktivitet si ky 160 shtete nuk marrin asnjë medalje dhe vetëm 20 shtete në botë marrin medalje ari; shtete të gjitha që kanë investime miliarda euro në atletikë dhe të kërkosh nga ne sportistët që s’kemi pistë tartani e të kërkosh medalje ari është absurde, në momentin më të mirë, të mos themi shkallim elektoral. Gjithsesi mendoj që po të fillojë investim i fortë nga shteti që tani, ku të mos na mungojë asgjë dhe jo gjërat më minimale, them që mbas disa vitesh merret, medalja e arit apo e bronzit, nuk e di, por merret, sepse s’na mungon vullneti apo talenti, na mungojnë kushtet dhe vlerësimi.

















