Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Kush i fitoi në të vërtetë zgjedhjet?

Kush i fitoi në të vërtetë zgjedhjet?
Nga Gëzim Hoxha

Zgjedhjet mbaruan dhe ajo që dihet është se PS–ja u mandatua nga mbi 46% e votuesve për të formuar qeverinë e re. Po kush fitoi, apo kush humbi në të vërtetë? Kjo pyetje hap një debat krejt tjetër, atë që lidhet me pjesëmarrjen në këto votime: Kush shkoi për të votuar, kë favorizoi ajo?

Në fletën e votimit kishte plot 18 parti, shumë më pak se në të gjitha zgjedhjet e mëparshme. E megjithatë si përherë, edhe këtë radhë KQZ–ja kishte harruar një parti sa të RE, aq edhe të VJETËR, partinë e abstenuesve, të atyre që nuk u intereson fare politika, të atyre që nuk besojnë fare në të, të atyre që jo vetëm nuk besojnë, por që iu vjen ndot prej saj dhe me të drejtë.

E pra, kjo parti njeh vetëm rritje, nga 2013 në 2017 u rrit me gati 4%. Këtë rritje do e kish pasur zili çdo parti tjetër politike. Një pjesë e mirë e atyre që abstenuan ose që as nuk denjuan fare të votojnë, dhe në këtë mënyrë të ushtrojnë një të drejtë kushtetuese, shkuan në plazh. Në fakt e diela e 25 qershorit ishte një ditë ideale për të shkuar në plazh dhe shumë prej tyre që zgjodhën qendrën e votimit në vend të plazhit u penduan shumë kur morën vesh rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve.

Ka një pështjellim kur thua se kush i fitoi në të vërtetë zgjedhjet sepse tashmë kjo dihet nga të gjithë. Po edhe po të pyesësh për të kundërtën se kush i humbi ato, përsëri nuk ke thënë asgjë sepse edhe kjo gjë dihet. Po sado të ngatërruara të jenë këto dy pyetje, sërish ato të çojnë në një zgjedhje të munguar, e cila favorizoi partitë e mëdha. E megjithatë edhe pse dëgjova njërin prej humbësve që thoshte se qe i zhgënjyer nga ky popull dele, unë mendoj se shqiptarët nuk janë kaq mendjelehtë dhe aq më pak kaq budallenj.

Atyre edhe këtë herë iu mungoi modeli i vërtetë, një model që të ngjallte besim. Këtë model ata nuk e panë as tek Beni dhe as tek Gjergji. Edhe pse programet e partive të përfaqësuara nga emrat e përmendur më sipër nuk kishin të sharë, e përsëris, nuk kishin të sharë, shqiptarët panë tek të dy faktin që asnjëri prej tyre nuk i besoi as vetë ato që thoshin. Populli “DELE” pa që asnjëri prej tyre nuk besoi deri në fund që njëri prej tyre mund të qe një MACRON, një CIPRAS a ku ta di unë se çfarë.

E nuk kanë faj, të thuash deri dy ditë para zgjedhjeve që unë do t’i fitoj zgjedhjet dhe ditën e fundit t’iu thuash shqiptarëve: “Na duhet vota juaj për të bërë opozitë!!!”, e kujt i duhen një, dy a më shumë opozita? Shqiptarët e kanë të sigurt një opozitë tashmë. PD–ja  i del dhe iu mjafton. Atyre iu duhet diçka tjetër: Një tjetër vizion qeverisjeje, një tjetër shtet, një tjetër perceptim për shtetin. Ata e kanë prej kohësh në mendjen e tyre, duan një jetë më të mirë ashtu si shumica e tyre që e kanë parë tashmë në perëndim.

E nuk kanë faj, shumica e shqiptarëve kanë dalë të paktën një herë jashtë shtetit dhe e kanë prekur edhe vetë, e dinë tashmë se çfarë do të thotë të jetosh më mirë. Kjo ka të bëjë fillimisht dhe mbi të gjitha me mbushjen e frigoriferit dhe të barkut, për të vazhduar me veshmbathjet dhe vazhdon e vazhdon me pasjen e një punë, shpërblim dinjitoz për punën që ti bën, kujdesin shëndetësor, me arsimin e shumë e shumë gjëra të tjera të cilat Shqipërisë i mungojnë.

Dikush mund të thotë se shumica e shqiptarëve është në emigracion dhe e ka thuajse të pamundur të vijë vetëm për të votuar. E vërtetë, shumë e vërtetë. E kush do ishte i gatshëm të shpenzonte nga disa qindra euro në disa mijëra të tilla vetëm e vetëm për të votuar. Po ata 4% më shumë shqiptarë që nuk votuan këtë vit banojnë në shumicën dërrmuese në Shqipëri dhe nuk e kanë quajtur të arsyeshme që të votojnë.

Një tjetër mund të thotë se po të hiqen nga listat e votuesve atëherë i bie që të kenë votuar rreth 80% e shqiptarëve. Edhe kjo mund të jetë e vërtetë. Po ne po kërkojmë përthithjen e kapitalit të huaj, pse të mos fillojmë nga përthithja e kapitaleve të bashkëkombësve tanë që jetojnë jashtë shtetit? Kjo fillon me sigurimin e të drejtës së tyre për të votuar. Pse të mos votojnë edhe ata? Ushtrimi i kësaj të drejte mund të bëhej me postë, nga konsullatat, apo ambasadat që ndodhen në vendet ku ata jetojnë, apo edhe thjesht me anën e një mesazhi elektronik.

Po kryesorja është besimi. Njerëzit kudo në botë e kanë humbur besimin tek politika, e pse shqiptarët të jenë ndryshe nga të tjerët. Në një postim në Facebook dikush shkruante: “Nëse doni të dini se si shkuan zgjedhjet, shikoni se si votuan njerëzit në Zharrëz.”

“Edhe pse Blushi i përkrahu zharziotët deri në daljen e VKM–së për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet BANKERS, përsëri ata nuk e votuan atë.”- vazhdon komenti i tij për këto zgjedhje. Ata nuk e votuan Blushin se ky edhe pse hartoi në program shumë të mirë elektoral nuk arriti që të ngjallë besimin e njerëzve në Zharrëz.

Dhe jo më kot rëndomë analistët të thonë se shumica e atyre që votuan janë militantë partie, njerëz që kanë lidhje me pushtetin dhe punonjës administrate që friken se me ardhjen e kundërshtarëve do të pushohen nga puna. E kot të thuash se si mund të joshet ky 4%- sh i popullsisë për të votuar. Fushatat elektorale dhe zgjedhjet në përgjithësi janë si një produkt i padëshiruar për ta.

Mjeshtrit e marketingut nuk lodhen me këta persona që nuk iu intereson produkti i tyre sepse ata e dinë se çfarëdo atributi t’i shtojnë ata këtij produkti ai prapë se prapë nuk do të pranohej prej tyre. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe partitë e mëdha. Ato iu bëjnë thirrje sa për të thënë njerëzve që të votojnë, por diku thellë vetes së tyre diçka iu thotë se ata duhet të mbështeten tek militantët e tyre që janë të shumtë në numër.

Duket se këtu tek ne duhet të ndodhë diçka me të vërtetë e rëndësishme, për shembull e njëjtë me dhjetorin e vitit 1991, apo pranvera e vrarë nga fajdet e firmat piramidale të vitit 1997, diçka që t’i bëjë shqiptarët që të kuptojnë se ka ardhur momenti për tu ndërgjegjësuar se kështu nuk mund të vazhdohet më. E deri atëherë s’më mbetet tjetër veçse t’i uroj punë të mbarë kryeministrit të sapo rikonfirmuar në detyrën e tij për të na qeverisur edhe në katër vitet që do të vijnë./dritare.net