
Kompensimi i pronave, 4 mijë përfitues me vendime të ‘93 dhe ‘94
Dritare.net

Paraprakisht mësohet se janë 4 mijë dosje, për të cilat ka përfunduar vlerësimi financiar. Pra është përcaktuar masa e përfitimit për secilën nga familjet, bazuar mbi hartën e re të çmimeve të trojeve, por me zërin kadastral që prona ka pasur në kohën e konfiskimit.
Vetë drejtoresha e ATP-së, Sonila Qato, më herët, përmes një daljeje për mediat, tha se publikimi i vendimeve do të bëhet në datën 30 maj. Pas kësaj pronarët që do të kenë emrin në listë kanë të drejtë të aplikojnë për t’u kompensuar me një nga skemat e kompensimit, përkatësisht financiar, fizik apo duke marrë pjesë në ankand. Ata mund ta bëjnë këtë duke plotësuar një nga formularët e aplikimit.
Në tabelën përbri janë të listuara edhe dokumentet që duhet të dorëzohen së bashku me formularin. Ky i fundit do të vendoset në dispozicion nga Agjencia e Pronave. “Subjektet, të cilat disponojnë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim.
ATP-ja vijon procedurat për kompensimin e subjekteve, sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm dhe duke shqyrtuar e verifikuar dokumentacionin e depozituar”, thuhet në vendimin e Qeverisë. Në lidhje me pagesat për ata që do të zgjedhin të kompensohen financiarisht, ato do të bëhen të plota dhe jo me këste. Ligji i ri përcakton që derdhja e parave të bëhet pasi të kenë kaluar 30 ditë nga publikimi i vendimit dhe qytetarët të mos e kenë ankimuar atë.
Kompesimi fizik
Agjencia e Pronës ka në zotërim 23 mijë hektarë tokë bujqësore, për të cilat ka përfunduar më herët edhe vlerësimi ekonomik, të cilat do të përdoren për skemën e kompensimit fizik. Për ndarjen e kësaj sipërfaqeje, dy do të jenë kriteret bazë.
Kriteri i parë është rendi kronologjik i vendimeve, që do të thotë se, sikurse kompensimi financiar, edhe ky kompensim do të fillojë me vendimet më të vjetra në kohë.
Kriteri i dytë lidhet me vendndodhjen e pronës që do të përfitojnë si kompensim fizik. Pra, pronari do të kompensohet me një pronë nga fondi fizik, e cila gjeografikisht është më afër me pronën që i është njohur për kompensim.
Në lidhje me dokumentet që duhet të depozitohen, ato nuk ndryshojnë, por mbeten të njëjta, si në rastin e kompensimit financiar. Ndryshon vetëm formulari i aplikimit, i cili është specifik për secilin rast. Në total janë 26 mijë vendime të formës së prerë, të cilat presin të kompensohen. Bazuar në ligjin e ri, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka nisur një proces të ri rivlerësimi, ku një metër katror tokë do të llogaritet me çmimet e tregut, po zëri kadastral nuk do të jetë ky i sotmi, por ai që ka pasur prona në momentin e shpronësimit.
Dokumentet që do të kërkohen për t'u dorëzuar
Kërkesë për kompensim (financiar dhe fizik)
Konfirmim nga hipoteka për gjendjen juridike të pronës që kompensohet
Vërtetim nga gjykata kompentente nëse vendimi përfundimtar i kompensimit apo vlersimi i tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore
Dëshmi trashëgimtare nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve
Prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm
Vërtetim për numrin e llogarisë bankare
Vërtetim nëse subjekti ka përfituar apo jo nga dispozitat për ndarjen e tokës bujqësore
Dokument identifikimi
Mandat pagese

















