Komisioneri evropian pas takimit me Ramën: Shqipëria e ka vendin në BE, vijoni reformat
Dritare.net

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Drejtësisë Toni Gogu dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. Vizita është fokusuar te reforma në drejtësi, forcimi i sundimit të ligjit dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Reuters Connect
Pas takimeve, McGrath ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke e cilësuar vendin ndër pararendësit e procesit të anëtarësimit.
“Shqipëria e ka vendin në BE dhe është një nga vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE”, është shprehur komisioneri në reagimin e tij.
McGrath thekson se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të procesit, ndërsa nënvizon se mbeten ende detyra të rëndësishme për t’u përmbushur.
Në takimin me kryeministrin Edi Rama, sipas McGrath, në fokus ishte progresi i Shqipërisë në zbatimin e reformave në drejtësi dhe në fushën e sundimit të ligjit. Këto reforma, sipas tij, janë një element kyç i procesit të anëtarësimit në BE.
Komisioneri evropian ka vlerësuar gjithashtu progresin e bërë deri tani nga Shqipëria, por ka theksuar nevojën për ruajtjen e ritmit të reformave.
“Ka një historik të fortë progresi dhe një ambicie të qartë. Tani, ky ritëm duhet të ruhet për të dhënë rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, është shprehur McGrath.
Gjatë vizitës në Tiranë, komisioneri evropian është takuar edhe me drejtues të institucioneve të drejtësisë, në kuadër të diskutimeve për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me BE-në./dritare.net