Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kërkesë e re për arrestimin e Ballukut? Kreu i SPAK: Po hetojmë

Kreu i SPAK, Klodian Braho, iu përgjigj pyetjes nëse Prokuroria e Posaçme do të paraqesë një kërkesë të re në Kuvend për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare, ku po shqyrtohej projektrezoluta për vlerësimin e punës së SPAK për vitin 2025, Braho tha se hetimet ndaj Ballukut kanë vijuar edhe pas vendimit të Kuvendit në mars të këtij viti për të mos dhënë autorizimin për arrestimin e saj.

“Nuk mund të them detaje konkrete, është një çështje konkrete, por në një moment të mëvonshëm prokuroria do të ketë vendimmarrje përkatëse. SPAK e ka pasqyruar në diskutimin me dyer të mbyllura se çfarë ka kërkuar dhe është i qartë reagimi i prokurorisë pas vendimmarrjes së Kuvendit”, u shpreh Braho.

Sipas tij, SPAK tashmë po heton Ballukun edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, ndërsa vendimmarrja për çështjen pritet në një fazë të mëvonshme.

Braho iu përgjigj edhe pyetjes së deputetes së opozitës Elda Hoti, e cila e pyeti nëse kryeministri Edi Rama kishte ndërhyrë për të shtyrë arrestimin e Ballukut.

“Sa i përket ndërhyrjes së Ramës, nëse keni prova paraqitni ato në organin kompetent. Janë të gjithë të barabartë para ligjit”, deklaroi kreu i SPAK./L.F-dritare.net