Na ndiqni edhe në

Arkiv

Ju tregoj udhëtimin tim, në Tajlandë!

Ju tregoj udhëtimin tim, në Tajlandë!
Nga Hermes Kala

Ky nuk është një shkrim dashurie, miqtë e mi. Ky është një udhëzim se si mund të udhëtoni në Tajlandë me buxhet të lirë.

Ndërkohë që agjencitë në Tiranë vlerësojnë minimumi 1500 euro për një javë në parajsën lindore, unë ju them se 10 net mund t’i bëni me gjysmën e kësaj shifre. Sekreti është të dish, gjithmonë, ama në këtë rast duhet edhe të kesh.

Ndalojeni pak serialin tuaj të preferuar(House of cards, fundja Kevin Spacey u largua) dhe kërkoni në secretflying.com. Jo më një sekret, apo jo? Këtu mund të gjeni fluturime nga Evropa nëpër botë me çmime relativisht të lira. Për të gjithë ata që studiojnë dhe jetojnë në Evropë, kjo është më e lehtë, por për ata që jetojnë në Shqipëri bëhet pakëz më e kushtueshme. Por sërish ka një zgjidhje dhe për këtë. Në këtë website(secretflying.com), gjeta një ofertë nga Berlini në ishullin Phuket të Tajlandës, vetëm 250 euro vajtje-ardhje. Çmenduri, apo jo?

Unë jetoj në Milano dhe e kisha shumë të lehtë të shkoja në Berlin me linjën ajrore ‘Ryanair’ që kushton një biletë 15 euro.

Oferta gjen nga të gjitha vendet e Evropës: Milano, Romë, Firence, Mynih, Berlin, Frankfurt, Dortmund dhe lista vazhdon... drejt Tajlandës, Malajzisë, Indonezisë, Meksikës, Filipineve, Karaibeve dhe lista vazhdon ende.

Për të gjithë ju që jetoni në Shqipëri, Wizair ofron fluturime direkte nga Tirana, në Dortmund duke filluar nga 19.9 euro një drejtim. Pra vajtje-ardhje kushton vetëm 40 euro.

Nga Dortmundi mund te shkoni me autobus(flixbus.com) drejt Berlinit, udhëtim që zgjat 5 orë dhe kushton 15 euro. Pra, vajtje-ardhje vetëm 30 euro.

Unë fluturova me linjën ajrore Scoot, nga Berlini drejt Phuketit me ndalesë një ditore në Singapor. Aeroporti Changi i Singaporit është me i madhi dhe më i bukuri në botë.

Përveç madhështisë konstruktive ofron dhe tur falas në qytet.

Të nesërmen u nisëm drejt Phuketit. Rezervuam një hotel me 3 yje ku nata kushton 10 euro për person me mëngjes të përfshirë. Një këshillë; për çdo hotel/hostel/resort që gjeni te booking.com, rezervojeni te Agoda.com, sepse është 20-30 % më lirë. Për 10 net, akomodimi kushton 100 deri 150 euro për njeri. Ndër plazhet më të njohura janë Patong që njihet për jetën e natës, Karon për qetësinë, rërën e bardhë, palmat dhe Surin që mund të ndesheni dhe me personalitete të njohura si Beyonce.

Lëvizjet brenda në Phuket mund t’i bëni me tuk-tuke. Do mundohen t’jua hedhin, por bëni pazare me ta përpara se te hipni. Zakonisht e ulin çmimin deri gjysmën e asaj që ju thonë në fillim. Mos paguani me tepër se 20 euro nga mëngjesi në darkë, për t’ju shoqëruar në çdo vend, t’ju presin dhe t’ju rikthejnë sërish në hotel.

Ia vlen të vizitohen: tempulli Wat Chalong, Buda e Madhe, kodra e Majmunëve si dhe Promthep Cape, ku mund të shihni perëndimin e diellit dhe të uleni e të flisni për erën e veriut e të mendoni për dashuritë e shkuara dhe të pamundura.

Nga Phuketi, mund të shkoni me varkë në ishullin Koh Yao Yai, I njohur si Maldivet brenda Tailandës, aty ku është luajtur dhe filmi ‘‘Mekaniku 2’’, me Jason Statham dhe Jessica Albën. Varka kushton 5 euro, ajo e zakonshmja, ndërsa ajo me shpejtësi të lartë, vetëm 8 euro një drejtim. Nëse keni durim, shkoni drejt fundbishtit të ishullit dhe merrni kokos të freskët direkt nga pemët. Parajsa në një frut të vetëm, në një ishull të vetëm!

Nga Phuketi mund të shkoni në ishullin e famshëm Phi Phi, i njohur prej filmit ‘The beach’ me Leonardo Dicaprion. Sigurohuni që prenotimet e varkës t’i bëni në internet, sepse ta blini aty kushton 25 euro vajtje-ardhje, ndërsa online kushton 15 euro.

Nëse dëshironi të provoni ushqimet tradicionale, jeni të lutur, amerikanët vdesin për ta, por nëse jeni nazelinj si unë dhe preferoni ushqime evropiane, një pjatë oriz i bardhë kushton 50 cent dhe një sallate cesar 4-5 euro. Do t’ju sugjeroja të shkoni te restoranti i Annes, restorant Europian-Tailandez. Pas një vizite në ishull, një anglez kishte rënë në dashuri me një tajlandeze dhe kishte vendosur të shpërngulej aty përgjithmonë. U martuan dhe erdhi në jetë vajza e tyre Anna.

Në dhjetor të 2004 një Tsunami goditi ishullin, ku shkatërroi të gjithë infrastrukturën dhe nga i cili u zhdukën 800 njerëz dhe humbën jetën 5000 të tjerë. Një ndër ta ishte dhe vajza e çifti, Anna. Pas rindërtimit të ishullit, çifti bleu një restorant dhe e quajtën sipas vajzës, ku dhe u bë i preferuari i turistëve.

Akomodimi dhe të ushqyerit në Phi Phi kushton po aq sa në çdo vend tjetër të Tailandës. Mund të ngjiteni në majën e vrojtimit nga ku shihen dy plazhet kryesore të ishullit që është dhe pamja më e fotografuar, mund të merrni një varkë me qira dhe të shkoni te plazhi i majmunëve, shpella e Vikingëve apo dhe në plazhin e famshëm ku Leonardo Dicaprio vrau peshkaqenin(Mos u frikësoni, nuk ka një rrezik të tillë!).

Mund të bëni dhe një udhëtim dy ditor në Bangkok, biletë e cila me avionin ‘AirAsia’ kushton vetëm 15 euro një drejtim. Përpos qiejgërvishtësve dhe disa tempujve mund të vizitoni dhe pazarin e madh të lirë ku një palë atlete ‘Balenciaga’ nuk kushtojnë 765 euro, por vetëm 20!

Pra, gjithsej 750 euro(më lire se 1 javë ne Antalia! Agjencitë turistike në Tiranë do të më vrasin!)

Nëse keni më shumë ditë ne dispozicion dhe dëshironi të vizitoni edhe Cambodian me tempujt e famshëm Angkor Wat që njihen si rrënojat më të bukura në botë, ku ka realizuar dhe filmin Angelina Jolie- Tomb Raider, shtoni edhe një 500-she, por besoj se kjo është më mirë për një herë tjetër apo jo? Unë jam Hermes Kala dhe ky është udhëtimi im në botë, jo për të njohur kultura të tjera, por që duke parë kulturat e tjera, të njoh më në fund timen./dritare.net