
"Henër qorri Show", emisioni për të mos u humbur!
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani Kësaj herë kam vendosur të shkruaj për një person që më pëlqeu shumë gjatë orëve parazitare që kaloj në internet. Para një muaji shkrova artikull se televizioni ka marrë fund dhe po u jepet mundësia talenteve të fshehura për të bërë diçka të tyren në Youtube. Njëri prej tyre që më mbeti në mendje është dhe Henër qorri Show. E hasa në Instagram në një prej komenteve që i bënte fenomeneve shqiptare dhe fillova duke ia marrë videot me radhë. Henri ose siç e quan ai veten Henër nuk e merr asgjë seriozisht. Në fakt ky është thelbi i emisionit që ai ka krijuar në Youtube. Përveç kësaj dialekti i tij pe Korçe i jep më shumë lezet humorit. Mendoj që ai thotë shumë gjëra që të gjithë i mendojmë, por mbase s'kemi guximin ose s’dimë t'i themi aq bukur.
Syzet si biçim nërdi i japin pamjen e një personi studioz, por Henër ka zgjedhur ta bëjë pjesë të nofkës së tij. Në fakt edhe mua më kanë thirrur qorre dikur e s'e merrja për ofendim. Më plasi mua si më thërrasin të
tjerët, e rëndësishme është që vetja më është dukur gjithmonë në rregull. Madje shpesh herë kur heq syzet e shokët më kërkojnë të lexoj diçka prej së largu u them ‘ju e dini që jam qorre dhe e shoh turbullt’. Me pak fjalë disa gjëra duhet t’i marrësh me sportivitet e këtë gjë Henër e bën më së miri. Kur e pyeta pse zgjodhe pikërisht këtë emër më tha: ‘Pseudonimi im më shërben që të kujtohem që mos të marr asgjë shumë seriozisht, sepse asgjë nuk është shumë serioze.’ Biles unë them që së shpejti duhet të hapë një rubrikë ‘Takim me Henër psikologun’ që t'u japë mend shumë të rinjve që shqetësohen për budallallëqe.
Episodet e mia të preferuara në Youtube janë kur u kthen përgjigje komenteve negative dhe publikimeve pa lidhje që bëhen ndonjëherë në faqen JOQ. Pale kur flet për virgjërinë, marrëdhëniet në çift apo ndonjë të ashtuquajtur VIPs shqiptar, më kënaq fare. https://www.youtube.com/watch?time_continue=15&v=NMYFLMYzvB4 Një nga pyetjet që e bezdis më shumë është nëse fiton lek nga videot që bën në Youtube. Të gjithë mendjen te lekët e kanë. Edhe kur i bëj ndonjë koment të tillë mamit më thotë ‘Po mirë pra hë bëji gjërat pa lek meqë e kam aty mendjen’. Epo pikë e zezë, se kuptojnë ca njerëz që gjërat bëhen edhe për pasion ose hobi? Pastaj në këtë rast kur ke mend tepër, pse mos t'u japësh ca njerëzve që të rrethojnë e t’ua bësh ditën më interesante? Henri i përket një shtrese të mesme të shoqërisë që punon në Telemarketing, Operator në qendra internet, sistemues rafti në supermarket, sportelist në hotel etj. Studimet i vazhdon në Universitetin e Gjuhëve të Huaja, e prapë pavarësisht gjithçkaje ka zgjedhur ta përdori medien e tij në mënyrë të zgjuar.
Po t'i shohësh videot e tij janë të filmuara në ambiente shtëpie. Njëra prej tyre më duket si ballkon i mbyllur me vetrata ku mbrapa ka një dollap me siguri që futen jorganët e batanijet. Po hë më thoni ju, a ka familje shqiptare që s'e ka bërë një gjë të tillë, të mbyllë një ballkon për ta kthyer në biçim magazine? Prandaj më pëlqen ky djalë se s’ka pordhë e dëngla. Shfaq një realitet që e hasim të gjithë. Shumë mirë mund të kishte zgjedhur të filmonte veten dhe në një mur të bardhë ose vende ku nga mbrapa duket sikur kush e di ku je. Por jo, Henër ka bërë zgjedhjen më të thjeshtë të mundshme. Në fakt ata që do e dëgjojnë ose shikojnë, duhet t'i vënë veshin gjërave që thotë jo sesi duket.
‘Mikrofoni që kam përdoret vetëm nga afër dhe më ndihmon sepse kam në plan të filloj Stand Up Komedi, në të cilën të duhet patjetër të mbash mikrofonin.",-më shprehej ai në bisedë e sipër. Edhe unë kur punoja në televizion vdisja të mbaja mikrofonin në dorë. Një prej arsyeve sepse s'dija ku të çoja duart gjatë xhirimeve. Në xhep s'i mban dot se është mungesë respekti ndaj shikuesit, kurse me mikrofonin bereqaves rregullon një dorë e tjetrën e sajon. Çdo filmim i Henër është bërë me telefonin e tij Huawei P10, një laptop i zakonshëm dhe një tripod ku vendos telefonin. Për editim përdor programin Sony Vegas Pro 15. Familja e ka suportuar që në fillim megjithëse disa prej temave që prek janë tabu edhe mbase prindërit do të kishin hallin çfarë mendon fisi. Shkurt fare ata e kanë kuptuar që djali është talent dhe e mbështesin për atë që është. https://www.youtube.com/watch?v=KZ8UZ37dgsk Henër qorri Show është prej një viti në Youtube dhe ka rreth 5600 ndjekës dhe sigurisht qëllimi i tij është që ta shohin sa më shumë njerëz. Kur e pyes nëse do të pranonte ta bënte të njëjtin emision në televizion më përgjigjet: ‘Në varësi të kushteve që do të më vendosnin do ta pranoja me kënaqësi’. Ndërkohë personazhet e tij të preferuar janë Albano Bogdo, Kastro Zizo dhe Arjan Çani. Ju ftoj t'i hidhni një sy Instagram-it dhe Youtub-it të Henër sepse s’do të largoheni pa e gjetur veten në një prej temave që trajton. https://www.youtube.com/watch?v=ts9qXQ3WVPw S’mund të kritikojmë shqiptarët ose Shqipërinë gjatë kohës që jemi pjesë e atij vendi për vete. Se më vjen inat ndonjëherë njerëzit që vijmë nga i njëjti komb që thonë ‘shqiptari kështu, shqiptari ashtu’. Më fal po ti nga mbive, t'i prej nga je? Prandaj po e mbyll me arsyetimin që Henër i bën këtyre fenomeneve: ‘Të gjithë jemi pjesë e këtij llumi, të ndihmojmë njëri-tjetrin që të dalim. Ky është edhe thelbi i kanalit tim, duke ironizuar veten të parin, njëkohësisht dhe godas gjithë të metat e shoqërisë.’ Ndryshimi fillon nga vetja dhe këtë që ka bërë Henër mund ta bësh edhe ti. Dil nga zona jote e komfortit e bëj diçka që gjithmonë ke dashur ta bësh, por ke patur frikë se mos dështosh. Merrni shembull!/dritare.net https://www.youtube.com/watch?v=_lQ0HIh2NvA

















