Ja si të regjistroni vendbanimin në Gjendjen Civile, për të shmangur gjobat
Dritare.net
Një zotëri i quajtur Arsen na shkruajti në dritare.net për shqetësimin e tij lidhur me regjistrimin e vendbanimit.
“Jam një i moshuar dhe dua të di çfarë dokumentash duhet të dorëzoj në gjendjen civile të lagjes që unë dua të bëj regjistrimin e vendbanimit.Theksoj që kisha ndërruar vendbanimin në shtëpinë e djalit, kurse tani pas vdekjes së gruas jetoj në shtëpinë time. Prandaj dua të regjistrohem në vendbanimin aktual që korrespondon me shtëpinë time”-shkruan ai për dritare.net.
Dritare.net është interesuar pranë zyrave të gjendjes civile dhe ka marrë informacionin për dokumentet që duhen paraqitur në njësinë ku duhet të bëni regjistrimin e vendbanimit tuaj.
Sipas zyrës së gjendjes civile për të bërë shkëputjen nga vendbanimi i mëparshëm duhet dorëzuar:
*Një çertifikatë familjare, që tregon përbërjen e familjes me të cilën do të ndahet banesa. Në rastin konkret një çertifikatë familjare që tregon se gjithë familja është e përbërë nga i moshuari.
*Një vërtetim i noterizuar që tregon nëse personi ose pjestarët e familjes janë në pronën/shtëpinë e tyre apo jetojnë me qera.
Ky vërtetim do të tregojë edhe vendndodhjen e shtëpisë, qoftë pronë e qytetarit apo pronë private e dikujt tjetër.
*Kërkesë për të qenë banor i zonës
*Si dhe fotokopje e kartës së identitetit
Pas dorëzimit të dokumentacionit në njërën nga njësitë e gjendjes civile të zonës ku pretendon të jetosh, procedurat e tjera i takojnë njësisë përkatëse dhe njësisë së vendbanimit të mëparshëm për të bërë shkëputjen përfundimtare.
Në njësinë ku do të bëhet regjistrimi do të jepet edhe mundësia e tërheqjes së pensionit.
Procesi i regjistrimit në vendbanimin e ri mund të zgjatet në një afat kohor për rreth një muaj.
Sipas ligjit të ri nëse vendbanimi i regjistruar nuk është ai real gjoba do të jetë 10.000 lekë.
Qytetarëve u është dhënë 6 muaj kohë që veprimet të bëhen me tarifa zero./dritare.net