Ja përfitimet që do sjellë projekti i Zvërnecit. Flet inxhinieri i njohur!
Dritare.net

Projekti turistik i Zvërnecit dhe Sazanit duhet të realizohet, pasi përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Kështu u shpreh inxhinieri i njohur Kristaq Puleri në emisionin "Dekalog" të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV.
Sipas Pulerit, projekti është i konceptuar me standarde të larta dhe është menduar të zhvillohet në harmoni me natyrën. Ai vlerësoi veçanërisht planin për Ishullin e Sazanit, ku parashikohen ndërtime me vila të vogla një dhe dykatëshe, duke e cilësuar si një model të kujdesshëm zhvillimi.
Inxhinieri theksoi se investimi nuk do të ndikojë vetëm në Zvërnec dhe Sazan, por do të krijojë një efekt zinxhir në të gjithë zonën, duke përfshirë edhe Karaburunin. Sipas tij, zhvillimi i këtyre tre perlave natyrore do ta kthejë jugun e Shqipërisë në një destinacion të rëndësishëm turistik me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, punësim dhe infrastrukturë.
Puleri u shpreh se e ka studiuar projektin me vëmendje edhe për shkak të eksperiencës së tij shumëvjeçare në Ishullin e Sazanit, ku ka punuar. Ai e cilësoi projektin "të shkëlqyer" dhe tha se Shqipëria duhet ta konsiderojë një mundësi të madhe një investim të këtyre përmasave.
Duke komentuar debatet që kanë shoqëruar projektin, përfshirë edhe protestat për mbrojtjen e flamingove, Puleri deklaroi se këto nuk duhet të pengojnë realizimin e investimit. Sipas tij, fokusi duhet të jetë te përfitimet afatgjata që projekti do t'i sjellë vendit, duke zhvilluar turizmin, ekonominë dhe potencialin e një prej zonave më të bukura të bregdetit shqiptar./dritare.net