Vapa ekstreme kërcënon prodhimin e Parmixhanos në Itali
Dritare.net

Valët e të nxehtit ekstrem në Itali po vendosin nën prerrezik një nga traditat më të njohura ushqimore të vendit: prodhimin e djathit Parmigiano Reggiano.
Në rajonin Emilia-Romagna, ku prodhohet djathi i famshëm prej më shumë se 800 vitesh, temperaturat që kalojnë 40 gradë Celsius po ndikojnë te lopët dhe te prodhimi i qumështit, përbërësi kryesor i këtij produkti.
Fermerët thonë se nga temperaturat e larta kafshët hanë më pak, pushojnë më shumë dhe prodhojnë deri në 10% më pak qumësht. Mungesa e reshjeve gjithashtu dëmton rritjen e barit dhe prodhimin e sanës, që janë pjesë e rregullave strikte për prodhimin autentik të Parmigiano Reggiano.
Për t’i mbajtur lopët të freskëta, fermat kanë instaluar ventilatorë dhe sisteme me ujë të imët, por këto masa kanë rritur ndjeshëm kostot e energjisë.
Problemet prekin edhe magazinat ku rrotat e djathit ruhen për maturim nga 12 muaj deri në disa vite. Një prej depove më të mëdha raportoi rritje me rreth 30% të konsumit ditor të energjisë gjatë valëve të të nxehtit.
Industria e Parmigiano Reggiano gjeneron rreth 4.5 miliardë euro të ardhura në vit dhe punëson mijëra njerëz. Mbi gjysma e shitjeve globale vijnë nga eksportet, me SHBA-në si tregun më të madh jashtë Italisë.
Prodhuesit paralajmërojnë se nëse ndryshimet klimatike sjellin temperatura më të larta dhe periudha më të gjata nxehtësie, mund të ndikohen si cilësia ashtu edhe sasia e këtij simboli të kuzhinës italiane.
“Nuk duam të jemi brezi i fundit që do ta hajë këtë djathë”, është shqetësimi i prodhuesve.
Burimi: Reuters