Na ndiqni edhe në

Arkiv

In memoriam Ardian Klosi

In memoriam Ardian Klosi
Nga Javanews

Pesë vjet më parë, Tirana u zgjua nga një lajm i rëndë që lidhej me vetëvrasjen e Ardian Klosit, publicistit, aktivistit të jetës sociale dhe përkthyesit të njohur. Orët që pasuan mobilizuan një masë të madhe njerëzish që të evidentonin cilësitë e mira, por sidomos keqardhjen e sinqertë për ikjen e një personazhi që kishte ende shumë për t’i dhënë kulturës kombëtare dhe angazhimit civil.

Dhe, vërtetë deri në fund, miqtë kujtonin se ai kishte shumë projekte përkthimesh, botimesh, aktivizmash, organizimin e një panairi të ri libri në Pranverë, që në fakt u realizua pas vdekjes së tij, madje edhe me një çmim të përvitshëm, i cili mban emrin e tij.

Miqtë e kujtojnë shpesh dhe në frekuenca kohore jo të largëta citohet shpesh për kontributin e tij në jetën sociale, por edhe në hapësirën e vet më të njohur, ku ai punoi njëkohësisht si përkthyes, kritik letrar, publicist dhe aktivist betejash të shoqërisë civile.

Keqardhja më e madhe në këtë pesë-vjetor të ndarjes nga jeta e Klosit është se jeta sociale shqiptare jo vetëm s’është humanizuar, por është dehumanizuar më tej, mllefi është njësoj dhe ndoshta edhe më i lartë, kurse zërat e njerëzve të angazhuar që kanë nevojë jo që vetëm nuk dëgjohen, por është lumturi për një masë t’i shikosh të rrëzuar nga problemet dhe të shqetësuar, njerëzit që kontribuojnë për të mirën.

Në vitet që kanë kaluar, figura e tij, ashtu si ndodh rëndom me shumë njerëz të kalibrit të tij lëbyret pak e nga pak, përveç te familja që e ruan çdo çast në kujtimet e veta, porse puna, përkthimet, aktivitetet dhe aktivizimi i tij mbetet i gjallë dhe shumë referues. Kjo e bën figurën e tij të vlerësuar njësoj, por edhe gati të ngulur tek ata pak njerëz që kanë kontribuar si pakkush për vendin.

Ndaj, në këtë pesë vjetor, kujtimi për të është i natyrshëm sepse edhe kontributi i tij e kaloi kohën, duke na dhuruar cilësi të mirë sociale në mbrojtje të së drejtës, por edhe parametra të lartë kulturorë përmes aktivitetit të tij. (Javanews)