Na ndiqni edhe në

Arkiv

Ilir Kerni në shoqërinë e mercenarëve

Ilir Kerni në shoqërinë e mercenarëve
ELVIS HOXHA

I dashur Ilir Kerni, Më fal për këtë fillim të papritur, pak të bujshëm në terma sentimenti. Ti nuk më njeh dhe një shprehje dashurie që nuk dihet nga vjen është sigurisht intimitet i palegjitimuar, ndoshta dhe abuziv. Po të isha drejtuar me “i nderuar”, nuk do të isha unë i qetë. Do të më dukej një adresim, më shumë se i ftohtë, i dyshimtë. I dashur, këtu do të thotë tjetër gjë. Nuk është ndjenja ime kundrejt teje, por fakti që je i dashur për gjërat, fakti që ti ke aftësinë të jesh i dashuruar me disa gjëra. Dhe në rastin tënd, pra, ti je njeri i dashur për mua sepse ti i do gjërat në mënyrë speciale. Ti nuk më njeh nga afër dhe unë nuk të njoh nga afër. Por nuk do t’ia lejoja vetes kurrë të mos të të dërgoja këtë mesazh mirënjohjeje anonime, e tillë sepse në të mund të strehohet ndjesia e shumë qytetarëve të tjerë, mirënjohje për atë punë që ke bërë si drejtues i një institucioni të rëndësishëm të artit. Dhe një drejtues ia jep gjithnjë institucionit natyrën si institucion.

Ti i do gjërat në mënyrë speciale. Ti e do Teatrin e Operës dhe Baletit, sepse dashuron në mënyrën e njërit prej arteve, baletit. Nuk mund ta duash Teatrin e Operës dhe Baletit në mënyrë të përgjithshme, sepse nuk mund ta duash artin në mënyrë të përgjithshme ose të përafërt. Por meqë ti bën pjesë në një shoqëri militantësh, siç i themi gabim, ngaqë në fakt është shoqëri mercenarësh, nuk bëhet fjalë për dashuri për artin, por për dhunë ndaj artit. Po! kjo shoqëri është dhunë ndaj artit e jo dhunë e artit.

Mercenarët nuk e dashurojnë pushtetin në ndonjë mënyrë speciale, nuk e dashurojnë për të përhapur ndonjë formë specifike dijeje, të drejte apo arti, gjë krejt e mundur për njerëz me pasion. Përkundrazi, ata e duan diçka si të drejtë të tyre, jo si shprehje të së drejtës së ndonjë vlere. Eh pra, në këtë pikë ti je special. Ti e do Teatrin e Operës dhe Baletit sepse dashuron baletin. Shumë drejtues, para dhe pas teje, nuk dashurojnë asgjë në mënyrë speciale. Ata e duan Teatrin e Operës dhe Baletit thjesht si pushtet të institucionit. Te ne është bërë e zakonshme, fatale, të shohësh se si administrimin e njerëzve dhe talenteve të tyre e do ai që nuk i do aspak njerëzit dhe nuk ka asnjë talent. Ti je special pra. Ata janë të përgjithshëm, të përafërt. Ngado i shohim këta njerëz që, pa dashuruar asgjë, duan gjithçka dhe përgjithmonë. Pra ata nuk i ikin kurrë kësaj shoqërie, ndërsa shoqëria i mirëmban.

Shoqëria e mercenarëve të gjorë, që në sinqeritet e sipër, në vendet ku nuk u rrezikohet asgjë, urren e përbuz. Urren e përbuz me të drejtë. Është po kjo shoqëri mercenare që kur dashuron, nuk dashuron kurrë drejt. Sepse kryesisht nuk ka pasur kur fat të përhumbet në ndonjë dashuri, në ndonjë talent, ta dashurojë njerë- zimin përmes ndonjë praktike artistike apo shkencore. Nuk ka dashuruar kurrë në mënyrë speciale. E ka vrarë që në ind gjithollogjia e kafesë, përafërsia në të folur. Nuk i ka lënë kohë vetes të ndalet në ndonjë art a mendim special. Gjithnjë ai ka dashuruar në mënyrë të përgjithshme, pa stërvitur në vete ndonjë ndjesi intime.

Ndaj, kur i vjen puna të dashurojë publikisht, kolektivisht, artistikisht, dashuron njerëzit e gabuar, dashuron dhunën. Mercenari, ose militanti pra, nuk dashuron dot as institucion publik dhe as aftësi krijuese, por vetëm atë lloj njeriu, atë lloj njeriu që nuk dashuron asgjë. I dashur Ilir, me siguri ti e di që kjo është toka e të gjithë atyre të pushtetshmëve që mbledhin në çdo anë e në çdo natë mallkime pa zë. Por kush nuk dashuron hiçasgjë, pak i bën mallkimi. Atij i duhen vetëm mercenarë të gabuar në dashuri. Një shembull i thjeshtë: të dashurosh një qenie të ftohtë, do të thotë me dashuru gabim, me kry faj mbi fatin e dashurisë. Kështu që Ilir, ti e mbylle karrierën prej drejtuesi me lehtësi, sepse nuk mbyll kurrë një dashuri të vërtetë, atë për artin.

Me respekt Elvis Hoxha