Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

I dërguari i Trump në Tiranë: Shqipëria është shumë e rëndësishme për ne

I Dërguari Special i Presidentit amerikan Donald Trump për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku u takua me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, si dhe me Kryegjyshin Botëror Bektashi, Baba Mondin.

Gjatë vizitës në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Zampolli u shpreh i impresionuar nga projektet e komunitetit, veçanërisht nga nisma për ngritjen e një qendre të avancuar shëndetësore me mbështetje amerikane.

“Kjo mund të jetë padyshim një bazë e shkëlqyer, sepse kemi nevojë për spitale. Unë vetë kam luftuar me kancerin për katër vite, ndaj e kuptoj mirë se sa e rëndë është kjo sëmundje”, deklaroi ai, duke e cilësuar bashkëpunimin me partnerët amerikanë si një mundësi të rëndësishme.

Në lidhje me projektin për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë, Zampolli tha se vendimi i takon shqiptarëve.

“Komuniteti ndërkombëtar e respekton vendimin e popullit shqiptar”, tha ai, ndërsa pas pyetjes se populli ende nuk është shprehur, shtoi: “Pra, populli duhet të shprehet.”

Zampolli zhvilloi gjithashtu takime me drejtues të grupeve parlamentare të PS-së dhe PD-së. Me Taulant Ballën u diskutua për partneritetin shqiptaro-amerikan, paqen dhe stabilitetin, si dhe Samitin e NATO-s që Shqipëria pritet të mirëpresë vitin e ardhshëm.

Në takimin me përfaqësuesit e PD-së, Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Jorida Tabakun, në fokus ishin situata politike në vend, krimi i organizuar, korrupsioni, investimet e huaja dhe ajo që opozita e cilësoi si “axhenda Soros”.

Sa i përket marrëdhënieve mes Tiranës dhe Uashingtonit, Zampolli dha një mesazh të qartë: “Shqipëria është një mike… ju jeni aleatë. Jeni shumë të rëndësishëm.”

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e miqësive afatgjata dhe tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe mund të bëhen edhe më të mira.

Për NATO-n, Zampolli tha se është një organizatë që “na duhet”, ndërsa shtoi se SHBA mirëpret edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian./L.F-dritare.net