Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Historiania amerikane: Çfarë më magjeps në Shqipëri!

Historiania amerikane: Çfarë më magjeps në Shqipëri!

Amerikania Rebecca Shields është historiane arti dhe e adhuron Shqipërinë. Në një intervistë në DritareTV, Rebecca tregon çfarë e magjeps kaq shumë në Shqipëri, përveç kafesë.

Rebecca Shields tregon çfarë e magjeps në Shqipëri!


"Unë jam Rebecca Shields. Jetoj në Virxhina të SHBA-ve. Jam historiane arti dhe bashkëshorti im është shqiptar. Herën e parë që kam ardhur në Shqipëri, ka qene për dasmën time në vitin 2013. Pas këtij viti jam rikthyer disa herë në Shqipëri së bashku me bashkëshortin. Ne kemi një vajzë dhe e vizitojmë shpesh Shqipërinë familjarisht.
Zakonisht vijmë çdo vit, kryesisht në verë. Unë e dua shumë Shqipërinë dhe dua gjithmonë të vij atje.

Sidomos për të mësuar për historinë e lashtë. Atje ka shumë ndërtesa të vjetra dhe duke qenë se unë studioj edhe historinë arkitekturore jam shumë e interesuar në këtë drejtim. Sidomos për të parë se si ka ndryshuar Shqipëria dhe sa shumë është zhvilluar në 10 vjetët e fundit.


Sa herë që vijmë në Shqipëri ne vizitojmë Apolloninë. Është vendi të cilin me zor pres të vij ta shoh. Kam bërë një turne me disa studentë dhe arkeologë atje dhe jam magjepsur nga fakti sa shumë gjëra të reja ka për të mësuar.

Jemi magjepsur gjithashtu nga një monument i vogël që është i lidhur me Apoloninë por nuk është pjesë e sitit. Është një kolonë e vetme ne fshatin qe quhet Shtyllas. Është e dukshme nga autostrada ndërsa shkon për në Vlorë.
Jam mahnitur nga ky monument i veçantë sepse është i veçuar, është një kolonë e vetme. Ndryshe nga ndërtesat e tjera të lashta, shumica prej të cilave janë me disa kolona. Nuk ka asnjë objekt tjetër afër, një statujë apo diçka tjetër, është thjeshtë një kolonë. Është e vendosur në kodër dhe i përket periudhës romake.



Vija bregdetare ishte shumë afër Apollonisë. Duke qenë se aty kishte një dalje në det, një port, kjo kolonë ishte një sinjal për njerëzit që vinin me varkë. Kjo kolonë në Shtyllas ishte i pari objekt që ata shihnin kur mbërrinin afër bregut dhe kështu ata kuptonin që kishin mbërritur në Apolloni.
Ajo është akoma aty e paprishur, por pak kush e di. Unë mendoj që as bashkëshorti im që është nga Shqipëria, nuk e dinte për këtë objekt derisa unë ia tregova. Sepse unë kam hulumtuar shumë për historinë e Apollonisë.

Mendoj se shumë njerëz që jetojnë aty, mund ta dinë ose jo për këtë objekt, por për mua ishte shumë magjepsëse kur e zbulova.
Këtu ku ne jetojmë në Amerikë ne nuk kemi ndërtesa kaq të vjetra. Nuk ndodh të shikosh ndërtesa mijëra vjeçare nga xhami i makinës. Kështu që kjo ishte një eksperiencë unike për mua.
Kam disa vende në Shqipëri të cilat i kam të preferuara. Kam ende shumë vende në Shqipëri, të cilat dua t’i vizitoj. Por ndër vendet që kam vizituar, më pëlqen shumë Vlora, sepse është një kombinim i kohëve të ndryshme. Më pëlqen shumë xhamia e periudhës mesjetare në mes të qytetit. Pastaj vija bregdetare është uau, e mrekullueshme.

Lungomare gjithashtu më pëlqen shumë. E shijoj shumë një shëtitje apo një kafe përballë detit dhe krah arkitekturës së mrekullueshme përgjatë rrugicave të qytetit. Unë jam historiane dhe më intereson Vlora sepse është qyteti ku u themelua Shqipëria moderne. Kam parë gjithashtu edhe monumentin e Pavarësisë, që është shumë i veçantë.

E pëlqej shumë Sarandën dhe Butrintin për arsye të ngjashme. Sigurisht për Butrintin ka më shumë arsye, sepse aty ka mozaikë të lashtë të periudhës romake, mure antike. Kemi vizuar site te ngjashme në Itali dhe në Greqi, por nuk është njësoj, sepse në Shqipëri ka më shumë hapësirë dhe je i lirë të shikosh çfarëdo që do të shikosh. Në Butrint nuk ka turistë masivë. Ndaj është me fat që të kesh mundësi të vizitosh vende të tilla historike pa u munduar shumë.

Vija detare atje më lë pa fjalë, dhe është shumë afër siteve historike. Më pëlqen çdo lloj vendi ku mund të konsumoj një kafe me pamje nga deti.
E kemi menduar të jetojmë në Shqipëri, por duhet të specifikojmë disa kushte apo rrethana. Për shembull këtu në Amerikë unë preferoj të jetoj në qytet. Babai im është nga zonat rurale dhe unë nuk do të doja kurrsesi të kthehesha atje për të jetuar.


Kur vijmë në Shqipëri unë qëndroj në Fier, që është qyteti i vogël i bashkëshortit tim. Më së shumti preferoj qytetet. Tirana është preferuara ime për shkak të mundësive të shumta. Ka shumë muze, galeri, vende të cilat do të doja shumë t’i vizitoja. Ka shumë gjëra që më pëlqejnë në Shqipëri. Më pëlqen tej mase kafeja. Ushqimi gjithashtu. Më pëlqen të shijoj një kafe të mirë në Shqipëri, të ha një akullore, gjëra që ne i bëjmë zakonisht kur vijmë në Shqipëri gjatë verës.", thotë historiania në DritareTV./K.C/dritare.net