Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Historiania amerikane: Si e zbulova Shtyllasin!

Historiania amerikane: Si e zbulova Shtyllasin!

Një kolonë antike i jep emrin fshatit Shtyllas ne Fier. Shtylla daton në shekullin e pestë para erës sonë dhe është një prej 26 kolonave të tempullit të ndërtuar shumë pranë qytetit antik të Apollonisë, me një sipërfaqe rreth 1000 metra katror dhe lartësi 14 metra.

Rebecca Shields, një historiane arti nga Virxhinia e SHBA-ve, thotë se është e magjepsur nga ky monument dhe se Shqipëria është me fat që në çdo qytet mund të gjejë gjurmë të lashta të historisë.

"Ju jeni me fat. Këtu ku ne jetojmë në Amerikë ne nuk kemi ndërtesa kaq të vjetra. Nuk ndodh të shikosh ndërtesa mijëra vjeçare nga xhami i makinës", thotë Rebecca.

"Sa herë që vijmë në Shqipëri ne vizitojmë Apolloninë. Është vendi të cilin me zor pres të vij ta shoh. Kam bërë një turne me disa studentë dhe arkeologë atje dhe jam magjepsur nga fakti sa shumë gjëra të reja ka për të mësuar.

Jemi magjepsur gjithashtu nga një monument i vogël që është i lidhur me Apoloninë por nuk është pjesë e sitit. Është një kolonë e vetme ne fshatin qe quhet Shtyllas. Është e dukshme nga autostrada ndërsa shkon për në Vlorë.
Jam mahnitur nga ky monument i veçantë sepse është i veçuar, është një kolonë e vetme. Ndryshe nga ndërtesat e tjera të lashta, shumica prej të cilave janë me disa kolona. Nuk ka asnjë objekt tjetër afër, një statujë apo diçka tjetër, është thjeshtë një kolonë. Është e vendosur në kodër dhe i përket periudhës romake.

Vija bregdetare ishte shumë afër Apollonisë. Duke qenë se aty kishte një dalje në det, një port, kjo kolonë ishte një sinjal për njerëzit që vinin me varkë. Kjo kolonë në Shtyllas ishte i pari objekt që ata shihnin kur mbërrinin afër bregut dhe kështu ata kuptonin që kishin mbërritur në Apolloni.
Ajo është akoma aty e paprishur, por pak kush e di. Unë mendoj që as bashkëshorti im që është nga Shqipëria, nuk e dinte për këtë objekt derisa unë ia tregova. Sepse unë kam hulumtuar shumë për historinë e Apollonisë.

Mendoj se shumë njerëz që jetojnë aty, mund ta dinë ose jo për këtë objekt, por për mua ishte shumë magjepsëse kur e zbulova.
Këtu ku ne jetojmë në Amerikë ne nuk kemi ndërtesa kaq të vjetra. Nuk ndodh të shikosh ndërtesa mijëra vjeçare nga xhami i makinës. Kështu që kjo ishte një eksperiencë unike për mua", u shpreh zonja Shields në Dritare TV./L.F-dritare.net