Çfarë zbuluan gazetari dhe historiani në Kishën e Himarës!
Dritare.net
Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut është një atraksion turistik në Himarë, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën, trashëgiminë dhe historinë. Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kështjellës së Himarës, në zonën e Barbakasë. Ajo ka shërbyer si selia e Peshkopit të Himarës, e cila bëhet qendër Peshkopale në vitin 1020.
Historiani Pëllumb Xhufi dhe gazetari Dritan Hila hynë brenda dhe treguan çfarë ka mbetur sot nga kisha e tipit bazilikan. Akademik Xhufi tregon se përse është e veçantë kjo kishë, ndërsa e krahasojmë me kishat e tjera. Përveçse është e hershme, ka edhe tipare të tjera që e bëjnë sot një atraksion turistik turistët e huaj dhe ata vendas.
Por ajo që është mëkat, thotë Xhufi, është fakti që kjo kishë është në grahmat e fundit sepse muret janë çarë dhe nuk do të rezistojë për shumë gjatë. Historiani i bën thirrje himarjotëve, edhe institucioneve shtetërore përkatëse që të bashkëpunojnë për ta rikonstruktuar këtë kishë që të mos humbasë identitetin e saj.
“Këtu jemi te kisha katedrale e Himarës. Brenda ka afresket që nuk janë ato të hershme, por të mëvonshme pas shekullit të XV-të. Rëndësi ka që janë ruajtur. Kemi navatën, mjedisi që vendoseshin njerëzit, në mure janë afresket, ikonat, mbrapa ështe zona ku klerikët, prifti përgatiste meshën. Apsida, është e pikturuar në mure.
Është një kishë që ka qenë edhe kështjellë, por ka pësuar dëmtime. Por është fat i madh që ekziston. Jam i mendimit që himarjotët duhet të bashkëpunojnë me institucionet shkencore, me Institutin e Monumenteve të Kulturës, sepse kjo kishë ka nevojë për konsolidim edhe restaurim. Do të ishte mëkat nëse do të binte edhe një gur më shumë.
Janë bërë ndërhyrje primitive që e dëmtojnë identitetin e kishës. Kjo është një kishë shumë e hershme. E cila është ndërtuar në kohën që kisha nuk ka qenë e ndarë, nuk ka pasur kishë ortodokse dhe katolike. Ishin 5 patriarkane dhe kisha ishte një.
Në vitin 1054 u bë ndarja përfundimtare, që qe një ndarje jo vetëm fetare, por edhe politike, dhe ushtarake sepse ndoqi disa përplasje ushtarake midis Perandorisë Bizantine dhe fuqive perëndimore që u pasua me kryqëzatat. Kjo është një kishë katedrale, e tipit bazilikan që e gjen edhe te kishat ortodokse dhe ato katolike, kur janë të vjetra.”, tregon historiani Pëllumb Xhufi nga Kisha e Shën Sergjit në Himarë./K.C/dritare.net